E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Rama i zhytur në afera korruptive, i gatshëm të asgjësojë parlamentin për të mos u hetuar

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka vijuar me akuzat kundrejt kryeministrit Edi Rama. Ai ka argumentuar qëndrimin e opozitën në parlament ku sipas tij bëhet për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

Për Berishën, kryeministri Edi Rama është i zhytur në afera të tmerrshme korruptive sa është i gatshëm të asgjësojë parlamentin për të mos u hetuar.

“Një kauzë e drejtë nuk mposhtet kurrë, ajo mund të njohë ndonjëherë vështirësi, por ajo është e pamposhtur, për aq sa është e vërteta e pamposhtur.

Dy muaj më parë, grupi i deputetëve të PD nisi një betejë në parlament. 43 deputetë një betejë pa kthim, një betejë për mbrojtjen e të drejtave tuaj kushtetuese, për mbrojtjen e pluralizmit parlamentar.

Deputetët e opozitës në sallën e parlamentit nuk donin të krijonin grumbullin e karrigeve, as dhe të përdornin tymues e zhurmues, por ato ishin thirrja e fuqishme, ishin klithëm e mosbindjes civile të tyre për të mbrojtur parimet e shenjta të kushtetuese të pluralizmit, për të ju mbrojtur ju dhe dinjitetin tuaj, të drejtat tuaja.

Sot mbarë bota mësoi se Edi Rama i zhytur në afera të tmerrshme korruptive është i gatshëm të asgjësojë parlamentin për të mos u hetuar.

Gjithë bota mësoi se Edi Rama i tmerruar nga vendosmëria e opozitës për të rikthyer zgjedhjet e lira, mësoi se ka nisur reformën me peng Bashën, me turpin e politikës shqiptare në 32 vite”, shprehet Berisha.

Berisha i ndodhur nën “arrest shtëpie” shprehet se pa votë të lirë nuk mund të ketë dinjitet njerëzor apo kombëtar, ndërsa i quajti simpatizantët e tij luftëtarë e misionarë të të ardhmes së vendit.

“Përballet antikorrupsioni me me hajninë, vjedhjen më të madhe që u bëhet qytetarëve në Europë, qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama.  Sot në rrugën e shpresës ju zhvilloni një betoj para së gjithash për dinjitetin tuaj, të shqiptarëve. Pa votë të lirë nuk ka dinjitet njerëzor, nuk ka dinjitet kombëtar”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›