Berisha: Rama kërkon të destabilizojë procesin zgjedhor
Kryeministri Berisha ka deklaruar se prioritet maksimal është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Në një takim me Zv.Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Wolfgang Grossruck kreu i qeverisë theksoi se qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetjen e plotë financiare dhe logjistike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi më i lartë i ngarkuar nga Kushtetuta për organizimin e zgjedhjeve si dhe angazhimin e plotë të mazhorancës për të kontribuar me vullnet të plotë politik për një fushatë zgjedhore të bazuar tërësisht tek nevojat dhe interesat e qytetarëve dhe komunitetit.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha siguroi se mazhoranca do të përmbushë të gjithë detyrimet ligjore në procesin e administrimit zgjedhor për mbarëvajtjen e këtij procesi dhe uroi që edhe opozita përfundimisht të heqë dorë nga bllokimi i procesit zgjedhor dhe të marrë përsipër detyrimet e saj ligjore, në interes të garantimit të të drejtës së votës së qytetarëve shqiptar.
Kryeministri theksoi se qëllimi i zotit Rama për të destabilizuar procesin zgjedhor nëpërmjet mos dërgimi të komisionerëve në Komisionet Zgjedhore dhe regjistrimit të Partisë Socialiste si subjekt garues në afatin fundor, dështuan përballë zbatimit korrekt dhe konseguent të ligjit të miratuar në mënyrë konsensuale dhe mbi bazën e propozimeve të Partisë Socialiste në fundin e vitit 2008. Kryeministri Berisha u shpreh se tentativat e zotit Rama për të përsëritur skenarin e vitit 2007 për bllokimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve, i mirënjohur si nga opinion publik vendas edhe nga ai ndërkombëtar, do të dështojë në çdo rast.
Nga ana e tij Grossruck vlerësoi arritjet e mëdha dhe të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare ka shënuar gjatë këtyre viteve të fundit në të gjitha fushat. Gjithashtu Grossruck shprehu keqardhjen që përpjekjet destabilizuese të zotit Rama ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Zoti Wolfgang Grossruck e informoi Kryeministrin Berisha për angazhimin e tij dhe të miqve të tjerë të Shqipërisë për të dërguar një numër sa më të madh vëzhguesish ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ai vlerësoi edhe një herë infrastrukturën e shkëlqyer që ekziston për sa i përket regjistrit elektronik të zgjedhësve, dokumenteve të identifikimit nga më të sigurtat në Evropë, si dhe procedurave të tjera të cilat bënë të mundur që zgjedhjet e 28 qershorit të cilësohen nga raporti i OSBE-së si zgjedhjet e para në Shqipëri që plotësuan shumicën dërrmuese të standardeve ndërkombëtare.