Berisha: Rama na detyrohet, mua, Fatos Nanos dhe Ilir Metës

“Kutitë nuk hapen. Gati ta takoj për kompromisin”
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një interviste në “NTV” se kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i detyrohet atij, Nanos dhe Metës. “Ka parë të keqe të madhe nga ne se është aty ku është. Z. Rama, nga kjo treshe ka të gjithë karrierën e tij politike, por, megjithatë, është normale të akuzosh”, u shpreh Berisha. Sipas tij, e vërteta është se nëse z. Rama është ai që është, është nga kjo treshe, jo nga ndonjë treshe tjetër. “Unë nuk kërkoj asgjë. Unë atij nuk i kërkoj asgjë. Unë po le të kuptoj se në pretendimet e tij për këtë treshe ka një moment të thellë mosmirënjohjeje, por për të cilën unë nuk kam keqardhje”, theksoi Berisha. Sot, vijoi ai, unë me z. Meta jam në koalicion, siç e shihni, koalicioni funksionon shumë mirë.
Ai kaloi një provë ndër më të mëdhatë. “Operacioni në Shkodër ishte prova më e fuqishme e një qeverie dhe unë mund të them se e kam ndjekur në çdo minutë, në çdo orë, me preokupimin më të madh, por, natyrisht, e kam ndjekur funksionimin e makinerisë, sepse vende të tjera, me një makineri më të fuqishme se e jona, patën humbje me të njëjtën shkallë të përmbytjes, si e jona, në shkallë të dytë, humbën rreth 30-40 njerëz, ne nuk humbëm asnjë jetë”, u shpreh Berisha. I pyetur nëse Presidenti i ardhshëm në vitin 2012 do të jetë i mazhorancës, Berisha insistoi se “pa diskutim, jashtë çdo lloj diskutimi. Ka një Kushtetutë dhe z. Rama votoi për këtë Kushtetutë. Unë isha për president të zgjedhur nga populli, ndërsa z. Rama ma imponoi në mënyrë ultimative që jo”. Referuar zëvendësimit të mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste, Kryeministri tha se “ky zëvendësim mandatesh nuk përcaktohet në mënyrë absolute nga shumica, s'ka lidhje me shumicën. Nuk përcaktohet kategorikisht nga KQZ-ja. Në këtë vend dhe në çdo vend të lirë nuk ka gjë më të mbrojtur se mandati.
A e dini që mandati është më i mbrojtur se Presidenti i Republikës, ka një mbrojtje të jashtëzakonshme si kusht për demokracinë dhe askush nuk mund të cenojë mandatin. Në rastin konkret, kemi të bëjmë me një vendim të deputetëve socialistë për të mos ushtruar, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit, detyrën e tyre”. Të dy klauzolat e Kushtetutës, shtoi Berisha, që imponohen në datën 4 mars, janë që të dyja vullnet vetëm i deputetit dhe askujt tjetër, as i shumicës, as i gjykatës, as i KQZ-së, as i Parlamentit. “A mundem unë të viktimizoj Kushtetutën pse ky apo ai deputet nuk pranon të bëjë betimin? Jo, zotëri. Kjo është zgjidhje e tij. është një gjë që unë s’e bëj kurrë ta imponoj, po të jetë në partinë time u them të përjashtoj dhe kaq, por te një parti tjetër s’u them dot asgjë”, tha Berisha. Ai nguli këmbë se nuk do të pranohet në asnjë moment hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, sepse mazhoranca nuk mund të vendoset mbi gjykatat.
Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për të takuar liderin e opozitës, Edi Rama. “Besoj për të pirë kafe nuk ka kuptim. Mua nuk më ndikon asnjë gjë në parimet që unë kam. Unë jam i hapur për dialog me cilindo. Natyrisht jo në rrugë. Me z. Rama kam bërë marrëveshje ndër më të mëdhatë të jetës sime, për Kushtetutën, sistemin zgjedhor dhe një seri marrëveshjesh të tjera. Unë kundërshtarin as nuk e zgjedh, as nuk e paragjykoj. Në vetë natyrën time, as nuk merrem me përshkrimin e tij. Jo, ai është ai që është, detyra ime është të ruaj parimet”, theksoi Berisha.
#