E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Rama nuk ka skuadra pushkatimi si Enver Hoxha, por ka përzënien e njerëzve nga Shqipëria

Kreu i grupimit të Rithemelimit në PD Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin socialist Edi Rama se po i detyron shqiptarët të braktisin vendin. Zoti Berisha ishte të shtunën në Librazhd ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Librazhdit Shefki Çota.
Sipas zotit Berisha realiteti i sotëm në Shqipëri është i zymtë.”Ne jemi vendi me rrogat më të ulëta në rajon. Sot ne jemi vendi me varfërinë më të dhimbshme në rajon” tha zoti Berisha.
 Ai ju referia vitit 2013 kur PD ishte në pushtet dhe Shqipëria ishte sipas tij me rrogat më të larta në rajon. “Ato rriteshin vit pas viti dhe me rritjen e tyre, rritej shpresa” tha zoti Berisha.
 “Kurse sot ndodhi që rrogat u ngrinë, por çmimet u rritën nga viti në vit dhe sot është shumë e dhimbshme. Vetëm nga rritja e çmimeve vitin e kaluar, çdo pensionist ka lënë dy pensione për ushqime më shumë se dy vite më parë” tha zoti Berisha.
“Edi Rama nuk e meriton votën kurrë në këto zgjedhje për shkak të dyfishimit të taksave” shtoi më tej ai. Sipas kreu të grupimit të Rithemelimit në PD kryeministri socialist ka inkasuar në arkën e shtetit, 5.8 miliardë euro në vit. “Në vitin 2013, me gjysmën e taksave kemi inkasuar 3.8 miliardë” tha ai. 
“Të votosh Edi Ramën, do të thotë të votoni për thellimin e varfërisë” këmbënguli zoti Berisha. “Tani duhet të bashkohemi. Të votojmë Shefki Çotën.
Ai është një përfaqësues i denjë i juaj, një menaxher i shkëlqyer, një familjar shembullor, një njeri i aftë, një qeveritar i vërtetë.
Por edhe një qytetar njëlloj si ju” vlerësoi zoti Berisha kandidatin e grupimit ” Bashkë Fitojmë”. “Qeverisja vendore ka shumë në dorë të ndryshojë për mbarë jetën tuaj.
Ka shumë në dorë të nxisë lulëzimin e biznesit, të përgjysmojë taksat. Kjo do të thotë dyfishim punësimi.
Të bëjë gjithçka për ndarjen e drejtë të buxhetit deri në zonat më të largëta” tha zoti Berisha në Librazhd ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Librazhdit Shefki Çota.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›