Berisha: Rama nuk tha asgjë për ëndrrat e të rinjve

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot nga Gjermania ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030.
Berisha u shpreh se, “sot, Edi Rama në një llogore banale foli para të rinjve socialistë sikur të ishte i ati i tij biologjik, ose i ati i tij shpirtëror”.
“Ai përdori të gjitha termat e marrë nga Parku Zoologjik dhe bota e tij shpirtërore për të anatemuar opozitën, në mënyrë që, të mund të fshehë sadopak, apo të maskojë damkosjen e tmerrshme që ka marrë si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, Shqipërisë,” theksoi Berisha.
“Sot, para të rinjve, Edi Rama, nuk foli asgjë për punësimin e tyre, injoroi faktin se ky është sundimtari i vetëm që ka kryer një gjenocid ndaj të rinjve shqiptarë, duke larguar në 10 vite rreth 600 mijë prej tyre nga Shqipëria,” tha Berisha.
“Para këtyre që kanë mbetur nuk tha një fjalë për punësimin e tyre, për ëndrrat e tyre. Në kohën e zhvillimeve të mëdha teknologjike, resë kompjuterike, të dhënave big data, internetit 3, dhe inteligjenca artificiale, ai nuk shqipëroi një fjalë për Shqipërinë e nesërme, por u mor fund e krye me opozitën që e ka damkosur dhe e ka zhveshur atë, i ka faktuar shqiptarëve se Edi Rama ka hyrë në histori si kryehajduti i kombit,” theksoi më tej kreu i PD.
“Gjeti kohë të merrej edhe me kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët kanë dhënë dhe japin një kontribut të veçantë për çdo shqiptar për të kuptuar, për të demaskuar aktivitetin e tij si kreu i organizatës kriminale të narkoshtetit,” shtoi Berisha.
Me këtë fjalë, nënvizoi Berisha, “Edi Rama i faktoi dhe të riut më të fundit në këtë vend se ai, përveç sharjeve, përveç fjalorit ordiner, përveç mbrojtjeve të krimeve të tij, të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë nuk iu ofron asgjë tjetër, pos largimit të tyre nga Shqipëria”.
Berisha theksoi se, “Partia Demokratike qëndron e vendosur të bëjë gjithçka sot në kohën e teknologjive të mëdha, që çdo i ri dhe e re të ndërtojë në Shqipëri ëndrrën e tij, të shkollohet në mënyrë cilësore, të punësohet me përparësi, të drejtojë, të udhëheqë transformimin digjital të Shqipërisë. Shqipëria e resë kompjuterike, Shqipëria e big data-ve, Shqipëria e internetit 3, dhe Shqipëria e inteligjencës artificiale, do të jetë Shqipëria e të rinjve shqiptarë”.
“Ndaj dhe, ftoj çdo të ri të ndjekë jo alternativën e një sharësi profesionist, që mbrohet me sharje, por alternativën e Partisë Demokratike që ofron me të vërtetë mundësi të mëdha për çdo të ri që të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin e tij të bukur,” përfundoi Berisha.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se vota për Partinë Socialiste është e vetmja votë për ndryshimin, ndërsa vota për të tjerët është një votë e sigurt për zhgënjimin.
“Të gjithë ta dinë mirë se kjo nuk është koha për të luajtur me fatin e Shqipërisë duke e djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër, apo në mangallën e disa partiçkave të reja që të vetmen gjë të re kanë moshën e drejtuesve të tyre,” tha Rama.
/r.e/