E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se kryeministri Edi Rama po përdor reformën territoriale për interesa elektorale dhe për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Berisha deklaroi se mazhoranca ka vendosur të ndërpresë procesin e reformës territoriale, pavarësisht një pune njëvjeçare për hartimin e një modeli të ri, që sipas tij duhet të ishte në interes të qytetarëve.

Sipas kreut të PD-së, ndryshimet e propozuara nga socialistët janë të orientuara drejt përfitimit elektoral.

“Edi Rama, për shkak të projektit të tij krejtësisht elektoral, po bashkon disa bashki me shpresë se do të ndryshojë përbërjen elektorale. Bashkon Rrogozhinën me Kavajën, Prrenjasin me Librazhdin, Memaliajn me Tepelenën, Këlcyrën me Përmetin dhe një seri bashkish të tjera”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama erdhi në seancë plenare sepse donte që të urdhëronte ndërprerjen e menjëhershme të debatit.

Berisha theksoi se raporti i mazhorancës për reformën territoriale është absolutisht i paligjshëm.

“Ai raport nuk është paraqitur dhe nuk është diskutuar në komisionin e reformës. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, me pasoja shumë të rënda për vendin”, tha ai.

Berisha theksoi se ka të dhëna nga burime shumë të besueshme se do të shkrihen 20 bashki.

“Janë burime të sigurtajanë burime të besueshme. Janë ruajtur, dhe më vjen shumë mirë që janë ruajtur, të gjitha bashkitë e minoriteteve. Por kjo nuk do të thotë që të injorohen interesat e qytetarëve jo-minoritarë. Jam plotësisht dakord për përfilljen e sensibiliteteve të tyre, por jam dakord dhe insistoj që komuna të reja duhet të jenë krijuar patjetër”, tha ai.

Kreu i PD-së theksoi se bashkimet elektorale janë absolutisht të dënueshme dhe të gjitha këto po ndodhin.

/m.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›