E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rama po rikthen survejimin e qytetarëve si në komunizëm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po ndërton një sistem të centralizuar survejimi të qytetarëve përmes projektit “Smart City”, të cilin e krahasoi me praktikat e regjimit komunist.

Në një deklaratë për mediat, Berisha publikoi pamje të kamerave të vendosura pranë protestës para Kryeministrisë dhe pretendoi se ato po përdoren për monitorimin e qytetarëve dhe protestuesve.

Sipas tij, gjatë diktaturës komuniste ambientet publike monitoroheshin përmes pajisjeve të përgjimit, ndërsa sot, sipas opozitës, teknologjia po përdoret për një mbikëqyrje edhe më të gjerë.

“Edi Rama rikthen plotësisht survejimin e qytetarëve të kohës më të zezë të diktaturës komuniste”, deklaroi Berisha.

Ai pretendoi se sistemi “Smart City”, i cili sipas tij në vendet europiane administrohet nga bashkitë për shërbime publike dhe menaxhim urban, në Shqipëri është vendosur nën administrimin e Policisë së Shtetit.

Berisha akuzoi qeverinë se kamerat inteligjente, radarët, sistemet e leximit të targave dhe platformat e monitorimit po përdoren për kontrollin e territorit dhe mbikëqyrjen e qytetarëve.

Sipas tij, projekti nuk është i fokusuar tek shërbimet urbane, por tek monitorimi dhe kontrolli i centralizuar.

“Lexim targash dhe gjurmim të lëvizjeve, potencial për të dhëna biometrike, veçanërisht fytyra, ruajtje dhe analizë të të dhënave. Kjo përbën shkatërrim të privatësisë dhe lirive civile”, u shpreh Berisha.

Kreu i opozitës e cilësoi sistemin si një model të “shtetit policesk”, duke kërkuar transparencë mbi administrimin dhe përdorimin e teknologjive të monitorimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›