E Diel, 1 Nëntor 2026

Operacion masiv antidrogë në Krujë, policia përdor dronë për zbulimin e parcelave

Qindra efektivë të Policisë së Tiranës, Komisariatit të Policisë Krujë dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë ndërmarrë një operacion të gjerë në territorin e rrethit të Krujës për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe është përqendruar fillimisht në fshatrat e njësisë administrative Cudhi, ndërsa kontrollet pritet të shtrihen edhe në zona të tjera të rrethit në ditët në vijim.

Gjatë aksionit, policia ka përdorur dronë të teknologjisë së lartë për monitorimin e territorit, duke evidentuar dhe asgjësuar me djegie një numër të konsiderueshëm fidanësh dhe bimësh cannabis.

Paralelisht me kontrollet në terren, shërbimet e policisë kanë intensifikuar verifikimet edhe në ambiente të mbyllura ku dyshohet se mund të kultivohet cannabis me anë të llambave dhe pajisjeve të posaçme.

Në bashkëpunim me OSHEE-në, strukturat policore po analizojnë edhe zonat me konsum të dyshimtë të energjisë elektrike, të cilat mund të përdoren për kultivimin e lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Ndërkohë, grupet hetimore po kryejnë veprime në terren, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje banorëve të zonave të Krujës të mos tentojnë të kultivojnë bimë narkotike, duke paralajmëruar se çdo rast do të goditet dhe autorët do të përballen me drejtësinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›