E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama po sillet me statusin e Shqipërisë, si Greqia kundër Maqedonisë

24-11-2012 / Gazeta 55

Gjatë takimit me homologun maqedon, Kryeministri Sali Berisha hoqi paralele ndaj praktikave të bllokimit të perspektivës së integrimit. Ai i kujtoi liderit të opozitës se “Rezoluta e PE është përgjigja më e mirë ndaj pretendimeve të PS për Fierin”
 
“Bllokimi që Edi Rama po i bën integrimit të Shqipërisë me çështjen e Fierit, është njësoj si bllokimi që Greqia i bën fqinjit të Maqedonisë për çështjen e emrit”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, duke hequr paralele ndaj praktikave të bllokimit të perspektivës së integrimit, për të dy vendet Shqipërinë dhe Maqedoninë.  Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski kryeministri Berisha tha se Edi Rama duhet ta lexojë mirë rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian për Shqipërinë, e cila i kërkon Këshillit të Ministrave të BE t’i japë statusin e kandidatit Shqipërisë. “Një bllokim që i bëhet Republikës së Maqedonisë në procesin e integrimit të saj, nga vendi fqinj Greqia, për shkak të një marrëveshjeje të emrit, që duhet të zgjidhet, si dhe bllokimit që i bën Shqipërisë zoti Rama, për shkak të çështjes së rrethit të Fierit. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një bllokim nga jashtë, në rastin e dytë kemi të bëjmë me një bllokim nga brenda. Në rastin e parë ka një angazhim ndërkombëtar për të ndihmuar të dy vendet, për t’i afruar që të gjejnë zgjidhjen. Në rastin tonë, dje në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian është votuar për rekomandimin e këtij institucioni kryesor të BE-së, për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Nga 61 deputetë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, të përbërë nga deputetë të qendrës së djathtë, të qendrës së majtë, liberalë, jeshilë etj., votuan që Shqipërisë t’i jepet statusi. Vetëm një deputet thjesht abstenoi, por nuk votoi kundër. Do të doja që zoti Rama ta lexonte këtë votim. I garantoj shqiptarët se, në qoftë se Fieri do të qëndronte si problem, ajo Rezolutë do të kishte jo 1, por disa nene për Fierin. Këtë çështje zoti Rama e ka ngritur në të gjitha instancat që ka mundur, por ai ka marrë një përgjigje të prerë se ndërkombëtarët nuk shohin asnjë lidhje midis Fierit dhe votimit të 3 ligjeve në Parlament, që zoti Rama i bllokon. Kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha.
Duke komentuar pretendimet e socialistëve me qarkun e Fierit, Berisha përsëriti apelin për t’i dhënë zgjidhje demokratike, përmes mocionit të këshilltarëve.
“Megjithatë, ne, në interesin më të mirë, kemi ofruar zgjidhjen më të plotë; mocionin për të gjithë këshilltarët. Fakti që ky mocion nuk pranohet, fakti që u tërhoqën nga gjykimi i çështjes, të gjitha këto dëshmojnë se tani janë të kënaqur, sepse përmbushën misionin. Kjo është përgjigjja ime. Unë sërish mbetem te mocioni, si rruga më demokratike, ose nëse ai do, le të vazhdojmë shqyrtimin me themel të çështjes. Por ai u tërhoq nga shqyrtimi me themel, sepse ai e përmbushi misionin e tij”, tha kryeministri.
Komisioni i jashtëm i Parlamentit Evropian, në mbledhjen e dy ditëve më parë, rekomandoi që Shqipërisë t’i jepet pa vonesa të mëtejshme statusi i vendit kandidat në BE. Deputetët në këtë komision miratuan me 61 vota “pro”, një kundër dhe dy abstenime rezolutën me këtë rekomandim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›