Berisha: Rama shkelmoi statusin për 1 vit. Votoni edhe amnistinë
Kryeministri Berisha ka akuzuar sot kryesocialistin Rama se shkelmoi statusin e vendit kandidat për mëse 1 vit.
Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit ku pritet të votohen 3 ligjet e integrimit, kryeministri Berisha theksoi se Rama duhet t`I kërkojë falje qytetarëve që bllokoi statusin.
“Shkaku themelor i thirrjes së Parlamentit është votimi i 3 ligjeve për të cilat Partia Demokratike ka bërë thirrje për votim. Në votimin e sotëm pasi u varros statusi për një vit Parlamenti kryen një akt me të cilën kursen një shumë të konsiderueshme parash që do përdorej për referendum. Parlamenti i bën ligjet aktive me votën e tij dhe në këtë mënyrë kursen rreth 6 milionë euro pasi janë humbur disa miliona euro pas shkelmimit që bëri kreu i PS-së statusit të vendit kandidat. Ndaj dhe shqiptarët duhet ta dinë mirë se ata të cilët shkelmuan, hodhën në kosh 3 ligjet që kërkoheshin për marrjen e statusit krijuan një pellg të zi. N.q.se ju e votoni këtë ligj për shkak të rivalitetit të tmerrshëm të brendshëm atëherë të jeni të sigurtë që ky ligj do t`ju përvlojë ju. Ju besoni se mund të lani sytë me ujin e pellgut të zi që krijuat” tha Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu u bëri thirrje opozitës që të votojë ligjin për amnistinë për të bërë të mundur sipas tij mbylljen me dinjitet të Parlamentit.
“Kryetari juaj është politikan kioskë, ai thotë do fal gjobat e 1 marsit e këtej, pse të 1 shkurtit, apo 1 janarit jo. Të votojmë dhe amnistinë si një akt të denjë dhe e mbyllim këtë seancë me vendime shumë të rëndësishme, nuk keni shkak të refuzoni amnistinë, cfarë do u thoni atyre që kanë punësuar mijëra vetë, biznesmenëve të Elbasanit, bashkim cfarë do u thuash biznesmenëve të Korcës që nuk voton amnistinë, ska asgjë partiake, kryetari yt premtoi të heqë gjobat e 1 marsit e këtej, ti bëjmë qytetarët të drejtë para ligjit, pse vini me paragjykime. Është kollaj të futesh në fabrikat e tyre për ndonjë votë, doni konsultime mes tuaj, merrni kohën që ju duhet. Ligjin e kemi gati ta votojmë. E lëmë sa të doni ju. E lëmë deri në dhjetor sa të doni ju. Shteti nuk ka inate, partitë kanë inate. Kjo është seanca e fundit, të votojmë 3 ligjet, të votojmë amnistinë. Nuk ka mënyrë më të ndershme që Parlamenti ta mbyll me amnistinë tha Berisha.