Mblidhet Parlamenti, në rendin e ditës 3 ligjet dhe amnistia
Parlamenti është mbledhur në një seancë të jashtëzakoshme për të votuar ligjet e integrimit dhe amnistinë fiskale.
Seanca ka nisur me më shumë se 1 orë vonesë ndërsa vetëm pak minuta pasi ajo kishte filluar u ndërpre pas kërkesës së socialistëve për 10 minuta pushim.
“Kërkojmë 10 minuta pushim për të mbledhur grupin parlamentar” është shprehur deputeti socialist Taulant Balla por kryetarja e Kuvendit i ka dhënë vetëm 3 minuta.
Ndërkohë në fillim të seancës, kryetarja e kuvendit ka bërë me dije rendin e ditës ndërsa ka njoftuar se mbledhja për të votuar 3 ligjet është bërë me kërkesë të kryeministrit Berisha.
Në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit është vënë re edhe prania e ambasadorit të BE-së në Tiranë Ettore Sequi.
Rendi i ditës përmban dy ligjet : “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” dhe ligjin për “Për nëpunësin civil” , si edhe reformën parlamentare, të tre ligjet e ashtëquajtuara të integrimit.
Por pika e katërt e rendit të ditës është edhe projekligji “Për legalizimin e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor”propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Por Partia Socialiste edhe pse ka dhënë konsensusin për tre ligjet e integrimit, deklaroi se amnistia nuk kërkohet nga Bashkimi Europian, por është një ligj elektoral i Partisë Demokratike. Po ashtu opozita ka kërkuar që 3 ligjet të hyjnë në fuqi në shtator, me nisjen e sezonit të ri parlamentar.