Berisha: Ramiz Alia tha se nuk kishte kufoma në Malin me Gropa

Kryeministri kërkoi miratimin e ligjit për krijimin e Institutit të Kujtesës Kombëtare, për të zbardhur krimet
e komunizmit. Instituti ka të drejtën e dërgimit në prokurori të materialeve që, sipas tij, faktojnë krime të rënda
Denion Ndrenika
Kryeministri Sali Berisha u zotua dje dhe njëherazi kërkoi me ngulm krijimin e një strukture të posaçme për zbardhjen e fatit dhe gjetjen e eshtrave të të ekzekutuarve nga regjimi diktatorial. Kryeqeverisësi më së miri e përdori një rast politikisht, për të kujtuar se duhen ndëshkuar krimet e së shkuarës.
Dosjet
Rrëzimi nga gjyqtarët kushtetues i ligjit të dosjeve u sulmua nga shumica qeverisëse, me argumentin se një pjesë e madhe e tyre kanë qenë zyrtarë në kohën e regjimit njëpartiak. Shumica pushtetare i konsideroi ata pjesë të vendimeve politike të përpara viteve ‘90-të. “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ‘89. Janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzimit në këtë vend”, - kishte thënë PD-ja. Berisha e shty një hap më tej qëndrimin e PD-së, kur vuri në dyshim autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij e hodhi poshtë ligjin e dosjeve “në konflikt të plotë interesi”. “Po pavarësisht nga ky gjykim, demokracia nuk mund të flejë mbi varre. Ata nuk i ekzekutoi as serbi, as pushtuesit e tjerë. Ata i ekzekutoi regjimi i Enver Hoxhës. Ne duhet të krijojmë një organizëm të veçantë, ta pajisim me të gjitha mekanizmat e duhura për të kërkuar të ekzekutuarit, kudo që janë”, - tha ai. Berisha kujtoi sakaq, se në Kuvend është dorëzuar ligji për ngritjen e Institutit të Kujtesës Kombëtare, për të cilin u tha deputetëve të tij se duhet ta shqyrtonin dhe të bënin përpara me miratimin. Kryeministri tha se ky ligj krijonte një strukturë që dallon nga instituti polak, që (tha ai) ka seksione policie dhe gjykatash. “Ky është një institut i ngjashëm me institutin çek, i cili synon të zbardhë të gjithë të vërtetën e barbarive të regjimit komunist”, - tha Berisha. Ai premtoi shpërblim financiar për personin që zbuloi eshtrat në Linzë, që tha se ishin “të luftëtarëve të lirisë”. Instituti, sipas tij, ka të drejtën e dërgimit në prokurorinë e vendit të materialeve që faktojnë krime të rënda, por nuk ka të drejtë të ketë as seksione prokurorie, hetuesie apo gjykate. I tillë, Berisha, tha se është instituti i kujtesës së Polonisë.
Krimet
Kryeministri kujtoi se në 12 gusht 1990, në takim me intelektualët, skulptori Muntaz Dhrami kishte pyetur ish-udhëheqësin Ramiz Alia nëse ishin të vërteta fjalët që qarkullonin se në Malin me Gropa pranë Tiranës ishin ekzekutuar 50 persona që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria. Sipas kryeministrit, Alia kishte thënë se “mali kishte gropa, por jo kufoma”. “Varreza masive me njerëz të ekzekutuar nga regjimi komunist është një apel për të gjithë shoqërinë shqiptare, për të mos i lënë shpirtrat e tyre në harresë. Varreza e përbashkët e Dajtit është një apel për ndërgjegjen qytetare, të shqiptarëve që sot janë të lirë”, - tha ai. Berisha iu referua rastit të gjetjes së eshtrave të së paku 19 personave, sikurse saktësoi ai, në zonën e malit të Dajtit, pranë Linzës. Për Berishën, ky rast është gjithaq dëshmi e rëndësishme për t’i kujtuar gjithkujt se çfarë papajtueshmërie, sipas tij, ka pasur vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi ligjin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve të lartë, i njohur si ligji i “Dosjeve”, “Spiunëve” apo “Lustracionit”. Komentet e Berishës u bënë, pasi eshtrat u gjetën befas në javën që partitë janë të angazhuara për të biseduar mbi zgjidhjen e krizës që përcaktoi në terminologji rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. “Janë gjetur trupat e 19 të ekzekutuarve me një plumb në kokë. Nuk dihet koha. Nuk dihet nëse janë këto të grupit të deputetëve, apo janë të ekzekutuar pa gjyq, apo ndoshta janë të vitit ‘90 dhe të ngjarjeve të ambasadave. Këtë do ta thonë rezultatet e analizave. Për sa i përket vitit ‘90, unë nuk kam dijeni, por në atë kohë, siç e dini, gazeta gojore fliste se janë rreth 50 të ekzekutuar në Malin me Gropa”, - tha Berisha. “Askush nuk e di, - vijoi Berisha, - se ku prehen eshtrat e luftëtarëve të lirisë, që në kuadrin e kompanisë 4000 hynë nga të gjitha anët në territorin e Shqipërisë për të përmbysur diktaturën. Qeveria ka marrë vendim që t’i shpallë dëshmorë të lirisë. Vendimi duhet të konkretizohet, sepse ata erdhën me një mision të madh për të çliruar vendin nga diktatura. U parashutuan, hynë nga territore të tjera, me një qëllim të vetëm përmbysjen e regjimit komunist”.