E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi Informativ Shtetëror, ndërkombëtarët nuk pajtohen

 
Sikurse kishte cituar “Korrieri” ish-zyrtarë të lartë drejtues të Shërbimit Sekret, ndërkombëtarët nuk do të lejonin ndryshimet, sepse siç shpreheshin atëbotë, “kishin harxhuar kohë dhe të paktën 1 vit punë për të hartuar ligjin”
 
 
Diplomatë ndërkombëtarë u bënë dje pikë referimi për të paraqitur mospajtime mbi ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Rrjeti televiziv “Top Channel” raportoi dje se kishte informacione që diplomatët në Tiranë janë vënë në lëvizje për të ndikuar në ndryshimin, korrigjimin apo deri edhe në ndalimin e miratimit të amendamenteve që janë hartuar nga qeveria. Këtu përfshihen ndryshimet që për kohëzgjatjen e mandatit të drejtorit të shërbimit dhe deri te veprimtaria që shtohen në autoritetin përcjellës të tij. Sikurse kishte cituar “Korrieri” muajin e kaluar ish-zyrtarë të lartë drejtues të Shërbimit Sekret, ndërkombëtarët nuk do të lejonin ndryshimet, sepse siç ishin shprehur atëbotë, “kishin harxhuar kohë dhe të paktën 1 vit punë për të hartuar ligjin”. Sakaq, i njëjti burim televiziv citoi burime të kenë thënë, se shqetësimet e diplomatëve dhe organizatave që ndihmojnë Shqipërinë në hartimin e ligjeve, pas ekspertizës që u kanë bërë amendamenteve, lidhen me faktin se Shërbimi Informativ Shtetëror rrezikon profesionalizmin dhe varësinë politike. Në projektligj thuhet se, “drejtori i SHISH-it i paraqet kryeministrit raport vjetor për punën e shërbimit, si edhe i raporton atij në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e tij”. Në ligjin ekzistues kjo pikë është ndryshe. “Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te presidenti dhe te kryetari i Këshillit të Ministrave për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar”. Nisur nga ndryshimi i nenit 5, vërehet se shërbimi krijon varësi nga kryeministri, ku kryetari i Shërbimit Informativ përgjigjet në çdo kohë dhe mënyrë vetëm përpara kryeministrit, duke e sanksionuar kreun e qeverisë ligjërisht si eprorin e tij. Në ndryshim nga ligji ekzistues, SHISH-i ndryshon objektin e punës. Krahas sigurisë kombëtare, shtohet një nen: “Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si edhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike”. Nëse keqinterpretohet në çdo rast, ky ndryshim rikthen SHISH-in e vjetër. Për ekspertët ndërkombëtarë, ligjërisht dhe politikisht, kjo cilësohet si e dyshimtë, për më shumë në këndvështrimin e vendosjes në varësi politike të SHISH-it. Në nenin 5 të ligjit ekzistues thuhet se “kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike, si dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara”. Në projektdraftin e ri thuhet se “SHISH-i, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë me miratimin e kryeministrit me shërbime informative të vendeve të huaja”. Kjo mendohet se përcakton gjithashtu ndërhyrjen e kryetarit qeveritar në punën e SHISH-it. Neni 5 përcakton mandatin e drejtorit të SHISH-it. “Drejtori qëndron në detyrë me mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë”. Ky ndryshim vë në dyshim rolin e drejtorit të sotëm, Bahri Shaqiri, të cilit ndërkombëtarët e shohin me korrektesë në funksion dhe mundësinë e ndryshimit të tij si përpjekje për shkarkimin apo zëvendësimin. “Korrieri” boti të hënën një informacion, sipas të cilit kandidat për vendin e Shaqirit ishte Shyqyri Dekavelli. Televizioni në të njëjtën kronikë raportoi po ashtu, se ndërkombëtarët besohet të kenë nxituar të ushtrojnë presion mbi qeverinë për të rimarrë në konsideratë ndryshimet. Amendamentet, sipas diplomatëve të huaj, rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e SHISH-it dhe ta vënë atë nën ndikim politik. “Në Perëndim shërbimet e inteligjencës dhe policia mundohen të mbahen sa më të pavarura, ndërkohë, që sipas ndërkombëtarëve, në Shqipëri me ndryshimet e reja, varësia dhe kompetencat që merr SHISH-i, kufijtë mes pavarësisë dhe politikës rrezikojnë të shkelen. Vendet e NATO-s kanë shpenzuar kohë dhe resurse për të rritur profesionalizmin e Shërbimit Informativ Shtetëror”, - u cituan burimet. Mendohet që ndryshimet të jenë kategorizuar se përbëjnë “një hap pas”. Pika tjetër, po sipas TCH, ku ndërkombëtarët dyshojnë, është koha e zgjedhur për të realizuar ndryshimet në ligj. “Në vend ka një krizë politike dhe situata politike është mjaft e acaruar. Po ashtu, po zhvillohen përpjekje si nga Presidenti i Republikës, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj krize. Kurse ky ligj, sipas të huajve, synon ta tërheqë edhe vëmendjen nga këto probleme të rëndësishme. Për arsyet më sipër duket se shqetësimi i të huajve nuk ka mbetur vetëm në nivelin e ekspertëve. Ambasadorët e Komisionit Europian e të Spanjës, Helmut Lohan dhe Manuel Montobio, si edhe ai amerikan Xhon Uidhërs i Dytë kanë zhvilluar javën e kaluar takime me kryeministrin Sali Berisha, me të cilin janë diskutuar pikërisht kundërshtitë e tyre për këtë ligj”, - raportoi TCH.
 
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›