E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Raporti i OSBE/ ODIHR, baza e progresit

“Raporti, me një kthjelltësi të kristaltë, i vlerëson zgjedhjet vendore të majit në Shqipëri si zgjedhje kompetitive, si zgjedhje transparente dhe si zgjedhje, aspektet pozitive të të cilave kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm”, tha Berisha në një konferencë shtypi. 

Ai shtoi se Raporti i vlerëson zgjedhjet e 8 Majit si zgjedhje kompetitive, çka sipas kryeministrit, kjo është shtyllë kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjeve. “Kompetitiviteti qëndron sigurisht, para së gjithash, në të drejtën e të gjithë kandidatëve për garë elektorale dhe të qytetarëve për të marrë pjesë si të barabartë para ligjit në zgjedhje. Por kompetiviteti në Kartën e Kopenhagenit ka një element thelbësor tjetër, barazinë në burimet financiare, materiale të mazhorancës dhe opozitës. Ata që do lexojnë me vëmendje këtë raport do të gjejnë se raporti shpreh vlerësimin më pozitiv për vendimin e Këshillit të Ministrave, për të ndaluar përdorimin e të gjitha mjeteve të administratës publike në garën elektorale dhe kjo ishte hera e parë në 20 vite”, shton Berisha.

Sipas tij, raporti vlerëson zgjedhjet dhe kjo është një meritë-që sipas kreut të qeverisë- e sistemit, duke treguar funksionimin e shtetit ligjor. Më tej, ai u shpreh se ekipi i ODIOHR, në një letër shoqëruese drejtuar qeverisë shqiptare, shpreh vullnetin e mirë për t’u angazhuar vetë direkt në ndërmarrjen e reformës zgjedhore, në mënyrë që, ndonëse thekson se sistemi zgjedhor i Shqipërisë jep mundësi për zgjedhje të standardeve demokratike ndërkombëtarë, sërish ka nevojë për përmirësime.

Por, ky reformim mbetet në dorën e klasës politike në vend, ashtu sikurse ishte kërkuar edhe në pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, kërkesë e cila nuk është përmbushur nga klasa politike në Shqipëri.  I pyetur nëse nga raporti mund të kërkohen edhe ndryshime kushtetuese, Berisha u shpreh se në asnjë pikë, ky raport nuk përmend ndryshime të tilla.
“Kushtetuta e këtij vendi është thellësisht demokratike. Raporti ka një sugjerim kur thotë mund të konsiderohet ndryshimi i përbërjes së KQZ-së. Unë jam këtu për të deklaruar se pranoj pikë për pikë të gjitha rekomandimet si të vitit 2009, ashtu edhe të vitit 2011. Ftoj zotin Rama, Partinë Socialiste e partitë e tjera t’i përgjigjen me të njëjtën frymë, pasi një gjë është e sigurt, se këto rekomandime, absolutisht nuk kanë asnjë lloj anësimi partiak, por kanë si qëllim kryesor konsolidimin e standareve ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend”, vijoi ai./S.Ll/Start/

                                                                                             2011-08-16 08:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›