Berisha: Regjistrimi i kujdestarëve të fëmijëve, i domosdoshëm për të luftuar fenomenin e punës në të zezë
Kryeministri Berisha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, hartimin e ndryshimeve ligjore, ku të përfshihet deklarimi i dadove apo kujdestarëve të fëmijëve. Kryeministri tha se mbajtja e tyre, nga familje apo persona, pa paguar sigurimet shoqërore, konsiderohet punë në të zezë dhe është formë skllavërie. Kryeministri u shpreh se qeveria nuk i ka diktuar dhe nuk do ti diktojë marrëdhëniet kontratuale sektorit privat, i cili është i lirë ti zhvillojë ato, por gjithmonë në mënyrë transparente. “Nuk ka formë më çnjerëzore se mbajtja e punëtorëve në të zi. Është skllavëri. Zoti Ministër i Financave me shpejtësi duhet të bëhen ndryshimet ligjore ku të përfshihet deklarimi i dadove dhe kujdestarëve të fëmijëve. Ata duhet të jenë të regjistruar. Ai që mban një punonjës në shtëpi për tu kujdesur për fëmijën apo shtëpinë, duhet të paguajë për të sigurimet shoqërore. Natyrisht duhet të bëhet diferencimi, por e rëndësishme është që ti nxjerrim nga skllavëria. Ndaj dhe të parashikohen të gjitha. Familja apo personi që ka mundësinë të marrë një punonjëse , nuk mund të mos ketë mundësi të paguajë sigurimin shoqëror të këtyre punonjësve part-time. Le ti kategorizojnë fillimisht në këtë grup dhe le ti nxjerrin në dritë. Problemi kryesor mbetet sektori publik, por sektori privat operohet nëpërmjet risqeve, nëpërmjet transparencës, pasi ne nuk i diktojmë marrëdhëniet kontratuale sektorit privat . Ai ëhstë i lirë ti zhvillojë ato, por jo pa transparencë.” ...