E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Shteti ka vendosur të mos jetë aksioner në asnjë kompani

Kryeministri Berisha: Nuk do të lejojmë korrupsionin në sektorin privat dhe do të nxisim konkurrencën
Në mbledhjen e sotme të këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha u shpreh se objektivi numër një në programin e luftës kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të vendeve të cilat qëndrojnë në krye të renditjes së “Transparent International”.
Kryeministri tha se kuadri ligjor i luftës kundër korrupsionit në sektorin privat, duhet të plotësohet në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit. “Zotërinj ministra, objektivi numër 1, në programin në Luftën kundër korrupsionit duhet të nxirret nga praktikat më të mira të 20 vendeve më të mira. Duhet ti instalojmë këto praktika, duhet ti vëmë në jetë, që të kenë rezultate. Sikundër paralelisht me të dhe gradualisht në përputhje me konventën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, duhet të plotësohet i gjithë kuadri ligjor për sektorin privat.”
Duke u ndalur tek lejet e ndërtimit, Kryeministri tha se do të ketë një afat, zgjatja e të cilit për shkak të burokracisë synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin
“Për sa i përket lejeve të ndërtimit, nuk do të ketë më 15 % se në mënyrë absolute do të ketë automatikisht të drejtën e ndërtimit në qoftë se i mohohet në kundërshtim me planin, në qoftë se i zgjatet për shkak të gjobës. Do të ketë një afat. Zgjatjet e afatit janë procesi i vjeljes së gjobës. Prapa çdo zgjatje afati të burokracisë, të paktën në 90 % të rasteve qëndron ai proces që synon parapërgatitjen e terrenit për ryshfetin. Heshtja konsiderohet miratim.”
Duke e cilësuar të domosdoshme përqendrimin e qeverisë me të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, kryeministri u shpreh se nuk duhet që qeveria të injorojë korrupsionin në sektorin privat, i cili mund të dëmtojë rëndë konkurrencën e lirë dhe qytetarët. “Është shumë normale që qeveria të përqendrohet në të gjithë potencialin e saj në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, por do të ishte e pafalshme në se qeveria injoron korrupsionin në sektorin privat, sepse prej tij mund të vuajë konkurrenca që është problemi më madhor. Prej tij mund të viktimizohen qytetarët.”
Kryeministri kërkoi nga Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë vëmendjen maksimale përe të zbuluar shfaqet e kartelizmit, kudo që ato të kenë tendencë për tu krijuar, si pengesë madhore për qytetarët.
“Zoti Ministër i Financave dhe Ministër i Ekonomisë, të cilët duhet të zbulojnë shfaqet e para të kartelit, kudo që të ketë tendencë për tu krijuar, sepse ato u qëndrojnë si saç qytetarëve. Ne kemi vepruar drejt që jemi përqendruar totalisht në sektorin publik dhe sërish do të mbetemi të përqendruar pothuaj totalisht në sektorin publik , por nuk mund të injorohet më tej, nën dritën e zhvillimeve aktuale evropiane dhe botërore, sektori privat. Konventa e organizatës së kombeve të Bashkuara që ne e kemi ratifikuar është një dokument i shkëlqyer, e cila përcakton kuadrin e domosdoshëm ligjor për luftën kundër korrupsionit dhe në sektorin privat.”

Aksinet shtetëtërore të AMC në shitje
Kryeministri Berisha: “Do të privatizohen në mënyrë transparente aksionet që qeveria ka në sipërmarrje e kompani të ndryshme.”
- “Ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike.”
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shitjen e aksioneve shtetërore në kompaninë e telefonisë celulare AMC. Kryeministri Berisha tha se qeveria, në kuadrin e politikave të privatizimit, është e vendosur të heqë dorë, nëpërmjet proceseve ligjore transparente, nga pronësitë e sipërmarrjet që duhet të privatizohen dhe nga ajo ç’ka mbetur nga privatizimi.
“Shitja e aksioneve që qeveria ka në AMC, - u shpreh Kryeministri - duhet të shoqërohet me shitjen në mënyrë transparente të aksioneve në të gjitha sipërmarrjet ku ne jemi aksionerë.”
Kryeministri Berisha theksoi se ligji, që përcakton në një masë të caktuar detyrimin shtetëror për të qenë aksionere, tashmë është i tejkaluar.
“Fryma e këtij ligji u diktua nga përdorimi i mendësisë publike, mendësi e cila tashmë është e tejkaluar. Nuk ka sektor ekonomik në vend, në të cilin sektori privat të jetë më i avancuar. Deri më sot kanë mbetur të tilla pikat, shtyllat e tensionit, aksione dhe puse nafte.”
Duke e vlerësuar të suksesshëm procesin e privatizimit, Kryeministri Berisha tha se këtij procesi do t’i nënshtrohen edhe aksionet që qeveria ka në kompani dhe sipërmarrje të ndryshme pas privatizimit të tyre, duke përmbushur në këtë mënyrë zotimin për realizimin e një procesi transparent të privatizimit të sipërmarrjeve publike.
“Privatizimet, - u shpreh Kryeministri - kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre. Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8 - 12 kompani, do të privatizohet brenda vitit dhe po kështu aksionet e AMC-së , më pas aksionet e Telekomit, të ARMO-s. Qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere Ajo ka mision e detyra të tjera. Në këtë kontekst, ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike.”
Kryeministri Berisha theksoi me kënaqësi që këtë zotim, qeveria po shndërron në realitet.

Procesi i koncesioneve të mëdha
Kryeministri Berisha: “Ambicia jonë është Shqipëria një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme.”

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se qeveria do të vazhdojë me shpejtësi dhe transparencë procesin e koncesioneve të mëdha.
Kryeministri Berisha përmendi disa nga koncesionet e rëndësishme në porte dhe në fushën energjetike. “Janë një seri ofertash shumë të rëndësishme për portet, për kaskadën e Vjosës që do të kalojë në tender ndërkombëtar dhe për të cilën është marrë një kompani konsulente e veçantë që po përgatit termat e tenderit, po rishqyrtohet Skavica, në mënyrë që të optimizohet prodhimi më i madh, me përmbytjen më të vogël, pasi kostoja e përmbytjeve e është shumë planesh, jo vetëm monetare, por edhe sociale, njerëzore, e shumanshme. Për këtë arsye, nga situata fillestare që gjetëm, qëndrimi ynë ka evoluar dhe ndryshuar. Ne do t’ia ofrojmë Skavicën konsorciumit apo kompanisë që do të ketë projektin e prodhimit më të madh dhe përmbytjes më të vogël.”
Kryeministri Berisha theksoi Shqipëria synon të jetë një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme dhe këto koncesione do të shtojnë burimet energjetike në vend.
“Uroj që çmimi i naftës të mos kthehet në diktat për politikat botërore të energjisë, ndonëse nuk mund të mohohet se ka një rol qendror, por me rritjen që pati, të paktën, fuqizoi shumë domosdoshmërinë e diversifikimit të burimeve energjetike. Kështu, ne do të vazhdojmë me koncesionet, por mbi baza të një transparence të plotë. Këto janë projekte të mëdha që shkojnë nga gjysmë miliard, në 1 miliard euro dhe kanë meritën e madhe të shtimit të burimeve dhe të ecjes drejt shndërrimit të vendit në një superfuqi të vogël energjetike. Ambicia jonë është Shqipëria një prodhues serioz e i rëndësishëm i energjisë nga burime të ndryshme,” u shpreh Kryeministri.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›