E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rezoluta, arritje madhore për heqjen e vizave

Deklaratat e tij u bënë gjatë mbledhjes së qeverisë, kur Berisha ka folur edhe mbi plotësimin e kushteve të mbetura.

“Dita e sotme shënon një arritje madhore në procesin e heqjes përfundimtare të vizave, proces në të cilën sipas Traktatit të Lisbonës, Parlamenti Evropian ka një zë përcaktues. Vota e sotme në PE ishte vlerësim i ndershëm dhe miqësor i të gjitha përpjekjeve të kësaj qeverie, por jo vetëm të qeverisë por të të gjitha institucioneve që me përkushtim të madh kanë punuar për të konkretizuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të KE-së për heqjen e vizave”, u shpreh Berisha.

Sipas kryeministri, “ka qenë ky seriozitet i institucioneve të vendit, i qeverisë shqiptare, reformat e thella të cilat zhdukën çdo lloj hezitimi për tu dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën e Bashkimit Evropian qytetarëve shqiptarë. Këto vendime vijnë si vlerësim për seriozitetin e madh që ne kemi trajtuar këto çështje duke qenë të bindur se çdo reformë, çdo çmim apo ligj ishte i dobishëm për të garantuar qytetarëve shqiptarë një dimension të madh, atë të heqjes së vizave për të lëvizur lirshëm në Bashkimin Evropian”.

Ai ka sqaruar se një kushtet kryesore të mbetura ishte strategjia për të rikthyerit, në rast se do të ketë shqiptarë që do të shkojnë në BE dhe do të qëndrojnë atje më shumë se 90 ditë, afat i përcaktuar për leje qëndrimi. Kreu i qeverisë përmendi edhe një herë se në korrik do të vijnë inspektorët e BE-së, për të vëzhguar në terren plotësimin e kushteve të mbetura.

“Një na kërkesat kryesore ishte strategjia për riintegrimin e personave që mund të krijojnë keqkuptime dhe mund të qëndrojnë më shumë se 90 ditë dhe këtu u përgatit në mënyrë intensive ja dolëm të paraqesim një strategji plotësisht të zbatueshme për riintegrimin e personave që mund të mendojnë se mund të qëndrojnë më gjatë se 90 ditë”, tha Berisha.

Ai tha më tej se linja e dytë është edhe “konsolidimi i stafeve në mënyrë të veçantë në Ministrinë e Brendshme janë bërë rialokimet në gjitha burimet njerëzore dhe financiare. Kështu që inspektorët që do të vijnë do të gjejnë një situatë me të cilën qeveria ka trajtuar rekomandimet me seriozitetin më të madh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›