E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rritja ekonomike 2.7 për qind, u shndërrua në rritje mirëqenie për qytetarët

17-01-2013 / Gazeta 55

Kryeministri analizon në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ecurinë ekonomike të vendit

Kryeministri Berisha i konsideroi keqdashëse deklaratat për rënien në krizë të ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar se ata mendojnë se “duke ndjellë krizë marrin vota, ose bëhet nga injoranca, nga njerëz që me filxhanin e kafesë flasin për ekonomi pa pasur qoftë edhe nocionin më elementar të rritjes e recesionit”. Kryeministri tha se me propozimet e saj për taksën progresive dhe agjencinë speciale të taksave, Partia Socialiste e kryetari i saj zoti Edi Rama kanë zgjedhur si slogan: “Mbrapa!”

Kryeministri Sali Berisha analizoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ecurinë ekonomike të vendit, duke vlerësuar se ajo është e qëndrueshme dhe bazohet në një model të suksesshëm, ndërsa theksoi se ekonomia do të vazhdojë të jetë çështje e parë e qeverisë. Kreu i qeverisë informoi se në tremujorin e tretë të vitit 2012 rritja ekonomike është 2.7 për qind. Kjo rritje, sipas tij, është shndërruar në rritje të pagave, pensioneve, të fuqisë blerëse, investimeve publike dhe në mirëqenie për qytetarët, e mbështetur kjo, theksoi Kryeministri, edhe nga përfundimet e raporteve ndërkombëtare, që e rendisin Shqipërinë në vendin e katërt në botë për sa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët.
“Vitin që shkoi Eurozona pati një rënie të dytë, të madhe. Ekonomia lokomotivë e Europës fatmirësisht nuk ra në recesion, por tremujorin e mbylli me një rritje prej 0.7 për qind. Kjo u konsiderua e konsiderohet një lajm pozitiv, pasi një rënie e saj në recesion do të kishte pasoja edhe më të mëdha për Eurozonën dhe mbarë Europën. Po rritja e ekonomisë shqiptare si ishte? Tremujori i tretë i ekonomisë shqiptare pati një rritje prej 2.7 për qind. Kjo rritje përbën një sukses të madh, të vërtetë, për të gjithë ata që kanë konceptet më elementare të ekonomisë, të rritjes, të recesionit, të krizës; përbën përballjen më të suksesshme në rajon, por edhe në Europë, me krizën aktuale; përbën dëshmi të suksesit të reformave të këtij vendi, të afirmuara tashmë botërisht edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Pak ditë më parë, unë prita në zyrën time Drejtorin Rajonal të FMN-së, që edhe është përfaqësuesi i Shqipërisë dhe i disa vendeve të tjera në Bordin e këtij institucioni. Ai më njohu me një veprim të tij. Më tha: U njoha me të dhënat e Shqipërisë, pasi mora rishtas këtë detyrë dhe u impresionova nga të dhënat. - Fondi ndërtohet nga anëtarët e Bordit që janë përfaqësues të vendeve dhe nga administrata - Kur konstatova se në pesë vite, ky vend ka kontrolluar Bordi në mënyrë kaq të qëndrueshme, plus/minus 2 për qind, bëra një debat me zyrtarë. Por një diskutim në interesin më të mirë bëra me kryekonomistin e Fondit Olivier Blanchard, një ndër ekonomistët më të mëdhenj të botës, me të cilin diskutova për dosjen e Shqipërisë. Në një mendim të shprehur me shkrim, ai ndau më vonë të njëjtin mendim më mua, për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, vendi ynë pati aftësinë e shndërrimit të rritjes ekonomike në mirëqenie dhe kjo pikërisht në sajë të modelit ekonomik që aplikon Shqipëria.
“Një prej grupeve më serioze në botë të konsulencës, grupi i Bostonit, pasi kalkulon koeficientet e vlerësimit të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, njëri prej të cilëve konsiston në shndërrimin e pasurisë në mirëqenie dhe tjetri konsiston në shndërrimin e rritjes në mirëqenie, bazuar kjo analizë për të parin në 36 tregues dhe për të dytin në 51 treguesit më kryesorë, e vendos Shqipërinë në vendin e 4-t në botë për sa i përket shndërrimit të rritjes në mirëqenie për qytetarët”, tha Berisha.
Çdo kilometër rrugë që ndërtohet, u shpreh kryeministri, është një hap në mirëqenien e qytetarëve ku kalon rruga, është kursim në shpenzimet e tyre, është mbështetje për tregtinë e produkteve të tyre, është para së gjitha një korridor tregu.
Kryeministri Berisha i konsideroi keqdashëse deklaratat për rënien në krizë të ekonomisë shqiptare, duke nënvizuar se ata mendojnë se “duke ndjellë krizë marrin vota, ose bëhet nga injoranca, nga njerëz që me filxhanin e kafesë flasin për ekonomi pa pasur qoftë edhe nocionin më elementar të rritjes e recesionit”.
Kryeministri tha se me propozimet e saj për taksën progresive dhe agjencinë speciale të taksave, Partia Socialiste e kryetari i saj zoti Edi Rama kanë zgjedhur si slogan: “Mbrapa!”
“Unë e dëgjoj zotin Rama një ditë të thotë poshtë Koleka, ditën tjetër thotë rroftë Koleka! Ishte ai që deklaroi se nuk e ka dajë, - në fakt e ka, por kjo nuk ka rëndësi, pasi e drejta  e ndryshimit është e drejtë e çdo njeriu, - por u kthye sërish tek Koleka, te taksa progresive. Ja kjo është politika e tij, si të shkatërrojë vendet e punës. Po ta ndiqni këtë filozofi është shumë interesante. Zoti Rama foli për agjenci speciale për taksat. Askush prej jush këtu nuk ka lexuar siç kemi qene ne të detyruar të lexojmë për NEP-in, për politikën e taksave të veçanta të Leninit, pas Revolucionit të Tetorit, për të zhveshur të pasurit, për agjencinë speciale të Leninit për politikën e NEP-it. Dhe NEP nuk ishte gjë tjetër veçse politika e rrjepjes së bizneseve dhe shkatërrimit të tyre. Çfarë është agjencia speciale? Asgjë tjetër, veçse do militantë specialë, forca speciale. Zoti Rama është unik në doktrinën e tij. Por më duhet t’i them, meqenëse ka maninë ose të imitojë pikë për pikë, ose të bëjë të kundërtën, se tani ke përzgjedhur për slogan: Mbrapa! Ne përpara, ai mbrapa, sepse me këto që premton, mbrapa shkohet. Me taksën e Kolekës shkohet në ‘45, po ashtu me agjencinë speciale të taksave me paramilitarë, në kohën e pas luftës. Këtë u premtoi biznesit zoti Rama. Por me këto shkohet mbrapa, jo përpara”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria beson fort se përballimi me sukses i krizës europiane e më gjerë është mbështetja gjithnjë e më e madhe për biznesin, duke kërkuar të shihen të gjitha mundësitë për lehtësimin dhe mbështetjen e mëtejshme të tij. Në këtë kontekst, Kryeministri i kërkoi ministrit të Bujqësisë dhe ministrit të Turizmit të shohin mundësitë për zgjerimin e përfituesve nga fondi grant i qeverisë, nga i cili aktualisht përfitojnë kryesisht projektet për ullirin dhe drurët frutorë, edhe të projekteve për agrobiznesin dhe ekoturizmin, pasi industria turistike është degë kryesore e ekonomisë. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›