E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Rroga mesatare do të jetë 1200 euro, Ballkani i Hapur shkatërroi mijëra ferma

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një tryezë të përbashkët me tre departamentet e PD: të Ekonomisë, Financave Publike dhe Sipërmarrjes, për të diskutuar mbi projektbuxhetin 2025.

Gjatë fjalës së tij Berisha nënvizoi sërish se duhet të caktohet minimumi jetik prej 200 eurosh, ndërsa premtoi se rroga minimale do të jetë 500 euro.

“Në buxhetin e parë të PD, minimumin jetik, 200 euro si fillim dhe është 3 herë më i vogël se në Itali. Mbi këtë minimum jetik, do të rriten pensionet me 20% me objektiv, dyfishimin e tyre, do të rriten rrogat minimale. Rroga minimale do të jetë 500 euro, dhe nuk do të ketë rrogë minimale nën 500 euro, pavarësisht nga efektet që mund të më thotë kush se do ketë në punësime e të tjera me radhë. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro, rroga maksimale nuk do të lëvizë, jo”, tha Berisha.

Berisha tha se pensionisti shqiptar për shkak të inflacionit, sot blen me pensionin e tij 30-40% më pak sesa blinte me pensionin e tij në vitin 2013.

Sa i përket investimeve, Berisha u shpreh se “do ndërtojmë, do ndërtojmë fuqishëm, por ne fondet, përparësi absolute ne do të kemi qytetarin”.

“Ne rikthehemi parti konservatore, parti e taksave të ulëta. Ne jemi për begatimin e shqiptarëve. Dhe besojmë se rruga për të rritur të ardhurat dhe për të rritur mirëqenien kalon nëpërmjet uljes së taksave. Iu rikthehemi taksave të ulëta, siç kemi qenë, edhe më shumë mund t’i studiojmë, mund t’i ndjekim”, tha Berisha.

Berisha po ashtu premtoi mbështetje për bujqësinë. Berisha shtoi po ashtu se Ballkani i Hapur do të marrë fund e se do të arkivohet si nga kapitujt më të zinj që shkatërroi mijëra ferma në Shqipëri.

“Ne u rikthehemi fuqishëm subvencionimit të fermerëve. I rikthehemi orientimit të fruti kulturës. Krahas prodhimeve të fushës, ne do nxisim fuqishëm mbjelljen e kodrave dhe maleve me drufrutorë. Iu rikthehemi ullirit, iu rikthehemi arrorëve, iu rikthehemi druve frutorë.

Nga ana tjetër, absolutisht do të subvencionojmë çdo kokë bagëti, çdo njësi prodhimi. I japim fund taksimit armiqësor ndaj fermerëve. Armiqësor ndaj tyre. Ballkani i Hapur merr fund. Arkivohet si nga kapitujt më të zinj që shkatërroi me mijëra e mijëra ferma në Shqipëri. Nuk pranon kush, të hapë kufirin për fermerët e tjerë që të shkatërrojë fermerët e tij”, tha Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›