E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Rrogat dhe pensionet kanë qenë një objektiv madhor i kësaj qeverie

071720131119QEVERIAKryefjala e mbledhjes së djeshme të qeverisë ka qenë rritja e rrogave dhe e pensioneve, në fshat dhe në qytet.
Deklarata
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha sqaroi që në krye të herës se “rritja e rrogave dhe pensioneve, ka qenë një objektiv madhor i kësaj qeverie në çdo mandat dhe në çdo vit të qeverisjes së saj”. Ai theksoi se qeveria këtë e ka bërë me bindjen më të thellë se investime në burimet njerëzore është investimi më kryesor. Rritja e rrogave për administratën është një stimul për një përkushtim më të madh dhe për një performancë më të mirë por ka bërë edhe më të lakmueshëm vendet në administratë. Kjo është një politikë konstante e jona”, theksoi Kreu i Ekzekutivit. Duke vënë në dukje se vendimi duhej marrë në qershor, por u shmang, që të mos dukej si për qëllime elektorale, Berisha tha se, “PD dhe qeveria e saj u përmbahen disa parimeve shumë solide dhe të drejta në raport me votuesit. Vendimi ishte shpallur që do bëhej në korrik për të shtyrë efektin e presupozuar elektoral të tij”.
Inflacioni
Kryeministri Berisha vuri në dukje se çdo vit, rrogat dhe pensionet, janë rritur 2-4 herë më shumë se inflacioni, sipas rasteve. “Në të vërtetë, çdo qeveri përveçse rasteve të jashtëzakonshme, duhet të indeksojë rrogat dhe pensionet, duhet të garantojë rritjen e tyre aq sa rritet inflacioni në mënyrë që të mos ketë përkeqësim të nivelit të jetesës të atyre që paguan dhe pensionistëve”, tha ai. Duke detajuar vendimin e qeverisë, Berisha bëri të ditur se pensionet do të rriten me 4 përqind ndërsa rrogat e buxhetorëve do të rriten me 5.4 përqind. Ai shtoi se nga kjo rritje përjashtohen ministrat e deputetët, ashtu si edhe një vit më parë.

Berisha-PS-së: Injorancë të mos
njohësh ligjin për qeverisjen
Në mbledhjen e djeshme të qeverise, kryeministri Sali Berisha reagoi edhe për akuzat e bëra nga të majtët për vendimet që po merr qeveria para përfundimit të mandatit të saj. Berisha i cilësoi si injorancë deklaratat e mazhorancës së re se qeveria është një qeveri kujdestare dhe nuk duhet të marrë vendime. Ka një debat që ka në bazë injorancë dhe revanshin lidhur me vendimet e kësaj qeverie. Kushtetuta ka qartësuar në mënyrën më precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një mazhorance dhe qeverisë së saj, tha ai. Sipas Berishës, Kushtetuta e përcakton qartë se nuk ka asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë nga dita e parë në ditën e fundit. Kushtetuta i jep parlamentit dhe qeverisë 4 vjet ditë më ditë për të ushtruar mandatin. Nuk ekziston asnjëherë në botë një qeveri kujdestare. Ata të cilët bëjnë fjalë për qeverinë në detyrë është një injorancë sepse qeveria në detyrë është ajo e një kryeministri të dorëhequr arsyetoi kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›