LSI: PD është mundur nga Rama dhe Meta, Basha-Olldashi të merren me PD-në
Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, shprehu dje keqardhjen që fushata elektorale për kryetarin e Partisë Demokratike është kthyer në fushatë kundër PS-së dhe LSI-së. PD e ka humbur garën me Ilir Metën dhe me Edi Ramën. Në garë është Lulzim Basha me Sokol Olldashin apo Sokol Olldashi me Lulzim Bashën prandaj ata duhet ta bëjnë garën me njëri-tjetrin dhe jo duke anatemuar, apo duke akuzuar apo më keq akoma duke përdorur etiketime fyese dhe banale ndaj atyre që populli shqiptar me votën e tij i bëri mazhorancë. Në të kundërt pastaj kjo dëshmon që e gjithë ajo fushatë është një butafori që nuk do të sjellë si produkt rivitalizimin e PD-së. Ndoshta nuk është faji i kandidatëve në garë që ndiejnë ende peshën e madhe dhe hijen e pushtetit të z. Berisha por në rast se ato nuk e zëvendësojnë dot z. Berisha le të jenë vetja e tyre në garën përballë njëri-tjetrit, tha Rama. Këtë deklaratë, Luan Rama e bëri pasi priti një Delegacion të Departamentit Ndërkombëtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, kryesuar nga Tian Yongxiang, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Evropës dhe Azisë Qendrore. Diskutuam për të forcuar më shumë bashkëpunimin midis dy vendeve dhe dy popujve tanë, aq më tepër që sfidat e globalizmit dhe interesi i përbashkët është zhvillimi ekonomik dhe krijimi i një partneriteti gjithnjë e më të qëndrueshëm që të bëjë të mundur krijimin e hapësirave për investime reciproke të biznesmenëve nga Shqipëria në Kinë apo të biznesmenëve kinezë në Shqipëri, tha Rama.