Berisha, Ryerson: Zgjedhjet e ardhshme të lira dhe të ndershme, Rama të heqë dorë nga bllokimi i integrimit

Kryeministri Berisha pret ish ambasadorin amerikan në Shqipëri, zotin William E. Ryerson
Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim ish ambasadorin amerikan në Tiranë, zotin William E. Ryerson, i cili ndodhet në Shqipëri me ftesë të kryeministrit për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit. Zoti Ryerson e falënderoi kryeministrin Berisha për nderimin që i bëri duke e ftuar për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë, si dhe u shpreh i impresionuar me ndryshimet dhe progresin e jashtëzakonshëm që gjeti në Shqipëri. Kryeministri i shprehu mirënjohjen zotit Ryerson për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë në momente kyçe të demokracisë në vendin tonë dhe e cilësoi atë si një mik të veçantë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeministri Berisha i bëri një ekspoze ambasadorit Ryerson për reformat shumëplanëshe që ka ndërmarrë qeveria shqiptare si ato në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, hidroenergjetikë, bujqësi, teknologji informacioni, etj. Kryeministri theksoi se falë reformave dhe investimeve vendi nuk ka rënë në recesion duke vazhduar të mbajë rritjen ekonomike.
Zoti Ryerson shprehu veçanërisht kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe besimin për progresin e saj në procesin e integrimit evropian. Nga ana e tij Kryeministri Berisha falënderoi Shtetet e Bashkuara për rolin primar në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe e siguroi zotin Ryerson se objektivi i ardhshëm i qeverisë shqiptare është anëtarësimi në BE. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira e të ndershme dhe shprehu shpresën se opozita e udhëhequr nga zoti Rama do të heqë dorë nga bllokimi i procesit të integrimit duke i votuar tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian, si dhe do të marrë pjesë me vullnet të mirë politik në zgjedhjet e vitit 2013.
...