Berisha: SHBA, mbështetje për integrimin në BE
Kryeministri Berisha i është referuar sërish sot vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe takimit me sekretaren amerikane të shtetit Hilari Klinton. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha e ka cilësuar si mjaft të rëndësishme dhe të sukseshme vizitën e tij në SHBA.
“Me sekretaren e shtetit Klinton diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat. Së pari ishte një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë mbështetjes që SHBA-ja i jep Shqipërisë në përpjekjet për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit ligjor.Ajo ç`ka SHBA-të presin nga ne, është konsolidimi i vlerave, që dy vendet dhe kombet ndajnë së bashku" theksoi Berisha.
Ai shtoi gjithashtu se në takim u diskutua për luftën kundër korrupsionit, heqjen e imuniteteve, klimën politike në vend, integrimin e vendit në BE, dhe shumë fusha të tjera. “Lufta kundër korrupsionit dhe heqja e imunitetit në mënyrë që të ketë barazi para ligjit dhe përgjegjësi para ligjit në mënyrë të barabartë. Ka një gadishmëri të amdhe për të na ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, pasi suksesi i projekteve të financuara nga taksapaguesit amerikanë deri më sot kanë bërë të mundur hapjen e një kapitulli të ri për Shqipërinë në këtë luftë siç janë one stop shop, taksa elektronike, etj. Një gadishmëri e plotë, gjykata administrative, të cilën komisioni i ligjeve e miratoi dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme”, deklaroi Berisha.
Ndër të tjera, kryeministri tha se në takim u diskutua edhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. “Në takim u vu theksi tek përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE dhe sekretarja Klinton theksoi domosdoshmërinë e plotësimit të kërkesave të BE-së në mënyrë që të bëhet i mundur vendimi që presin mbarë shqiptarët anëtarësimi në BE” theksoi Berisha ndërsa shtoi se SHBA-të janë të gatshme të ndihmiojnë në fushën e energjisë, arsimit dhe në çdo fushë tjetër.
Berisha nuk ka bërë komente për zhvillimet politike në vend, gjatë ditëve të qëndrimit të tij në SHBA, duke deklaruar se ekspozenë për këtë udhëtim nuk donte ta ndikonte me probleme të tjera.