Berisha: SPAK ka lëshuar mandate arresti kallp për tenderat e AKSHI-t

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me lëshimin e tetë masave të sigurisë nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar për tenderat e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Infomacionit (AKSHI).
Gjatë një konference për media, Berisha u shpreh se bëhet fjalë për një skemë të gjerë korrupsioni dhe kriminaliteti të organizuar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Berisha deklaroi se janë lëshuar “mandate arresti kallp”, pasi personat kryesorë të përfshirë, si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, janë larguar prej javësh nga Shqipëria, ndërsa figurat kyçe nuk janë hetuar.
Berisha pretendoi se përmes tenderave sekretë, shumica dërrmuese e fondeve publike janë përqendruar në dy kompani të lidhura familjarisht, në shkelje të ligjit.
Kreu i PD-së theksoi gjithashtu raste pengmarrjesh dhe dhune ndaj personave që kishin dijeni për aferat, duke përmendur emra konkretë dhe duke kërkuar reagim nga institucionet dhe shoqëria civile.
Ai theksoi se PD ka dorëzuar dosje me denoncime, por pa hetimin e figurave kryesore, procesi mbetet i paplotë.
Por, Berisha theksoi se nuk ka ndonjë shpresë të madhe se do të bëhet hetim i plotë i kësaj ngjarje.
/m.m/j.p/r.e/