Berisha: Shqipëria, angazhim për projektin e gazësjellësit TAP

Kryeministri Berisha ka shprehur angazhimin e Shqipërisë, në mbështetje të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik. Në një takim me një delegacion nga British Petrolium (BP) i kryesuar nga Zëvendëspresidenti i BP për Zhvillimin dhe Shfrytëzimin e Fushës së Shah Denizit në Azerbajxhan Al Cook, Kryeministri theksoi se sigurimi i gazit është prioritet madhor, për të mundësuar zhvillimin e tregut të brendshëm të gazit në Shqipëri, por edhe më gjerë, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për qëllime industriale e rezidenciale.
Sipas tij, në këtë kuadër, qeveria shqiptare ka ngritur grupin ndërministror pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës për negocimin me kompaninë TAP të Marrëveshjes Pritëse Qeveritare. Kryeministri Berisha theksoi edhe njëherë vullnetin e Shqipërisë për të bashkëpunuar ngushtë me fqinjët, me qëllim finalizimin e kuadrit ligjor dhe rregullator për projektin e TAP, si një projekt me interesa reciproke për të tre vendet.
Nga ana e tij, Al Cook shprehu mirënjohjen për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të projektit të TAP-it, demonstruar përmes vizitave zyrtare të suksesshme në Azerbajxhan dhe Itali, si dhe përmes zhvillimit të negociatave me TAP të marrëveshjes pritëse qeveritare. Al Cook tha se BP dhe Azerbajxhani, përmes SOCAR, synojnë të sigurojnë investime te konsorciumi i TAP me qëllim mbështetjen e këtij projekti dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm.
Për konsorciumin e Shah Denizit është e rëndësishme që projekti i TAP të sigurojë sa më shpejt që të jetë e mundur marrëveshjet pritëse qeveritare të miratuara veçmas nga Shqipëria dhe Greqia, sikurse edhe Marrëveshjen Ndërqeveritare mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë. Në këtë kontekst, ai theksoi se bashkëpunimi mes tre vendeve është i rëndësishëm.