Sequi-Nishani: Përmbyllje sa më shpejt të reformave

Përmbyllja sa më shpejt e reformave zgjedhore dhe parlamentare për heqjen ose kufizimin e imunitetit është me rëndësi për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në vjeshtën e këtij viti. Kështu janë shprehur presidenti i zgjedhur Bujar Nishani dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi gjatë një takimi mes tyre ditën e sotme.
Gjithashtu në takim u konfirmua vullneti i dyanshëm për të ndërtuar dhe zhvilluar një bashkëpunim të ngushtë mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit, ambasadori Sequi vlerësoi maksimalisht rolin e Nishanit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e një bashkëpunimi të frytshëm me delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë.
Nga ana e tij, Nishani falenderoi Ambasadorin Sequi dhe nëpërmjet tij edhe Komisionin Europian për angazhimin dhe kontributin në shërbim të forcimit të institucioneve ligjzbatuese dhe konsolidimit të demokracisë shqiptare.
Presidenti Nishani theksoi me këtë rast se delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.