Berisha: Shqipëria dhe Kosova, vende shumë të pasura
“Shqipëria është vend shumë i pasur me ujë, krom, etj., por edhe më e pasur me nikel, e shumë më e pasur me hekur”. Gjatë ditëve të fundit, vlerësimet e kryeministrit Sali Berisha për gjendjen ekonomike të vendit kanë qenë të jashtëzakonshme. Në një numër të stërmadh aktivitetesh, nga intervista për “Euro News” deri te takimet me fshatarët e Devollit, Kryeministri ka renditur një numër të jashtëzakonshëm pasurish të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por pati edhe krahasime të bollshme dhe tepër optimiste me pjesën tjetër të botës. Duke folur për “Euro News”, për Kosovën z.Berisha deklaroi gjithashtu se, “është një vend shumë i pasur me minerale, një nga rajonet më të pasura në Europë”. Duke folur në Forumin e “Crans Montanas” në Tiranë, z.Berisha tha: “Ju e dini që ne jemi një vend shumë i pasur në minerale, i treti ose i katërti në botë për rezervat e kromit, por jemi më të pasur me nikel dhe shumë të pasur në hekur. Lajme shumë të mira kemi për rezervat e naftës”.
Duke folur para studentëve gjatë javës së kaluar, z. Berisha tha: “Ne jemi një nga vendet më të pasura në botë për burime natyrore, por jemi të varfër se na ka munguar liria”.
Deklarimet optimiste mbi ekonominë e vendit qenë jashtëzakonisht intensive gjatë ditëve të fundit. Vetëm dje, 14 deklarata që përmbanin përurime investimesh u publikuan në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave në internet.
Vlerësimet optimiste mbi ekonominë dhe burimet, vijnë pas publikimit të rezultateve të një sondazhi që paraqisnin pritshmëritë ekonomike të qytetarëve në gjendje shumë të mjeruar. Sondazhi i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, vërente se 33% e qytetarëve e vlerësuan gjendjen e tyre ekonomike më të keqe këtë vit, kundrejt vitit 2007. I njëjti sondazh, vitin e kaluar vërente se vetëm 14.3% e qytetarëve ndjenin gjendjen e tyre ekonomike të përkeqësuar në krahasim me vitin 2006. Pritshmëria ekonomike për vitin e ardhshëm paraqiste një shkallë të gjerë pesimizmi mes popullatës. Rreth 28% e të pyeturve parashikonin se ekonomia e tyre do të përkeqësohej, ndërsa ata që presin përmirësim, ranë për herë të parë në minorancë në tre vitet e fundit. Më pak se 36% e qytetarëve janë optimistë për të ardhmen e tyre. Në vitet 2006 e 2005, 50% e qytetarëve ishin optimistë për të ardhmen.