Pagat dhe pensionet, vetëm 3% rritje
Për të rritur pagat me 10% qeveria duhet të shpenzojë 50 milionë euro, por ka akorduar më pak
Kanë deklaruar mbi rritjen e pagave
“Buxheti aktual ka hapësirë për rritjen e ndihmës ekonomike, por nuk ka shumë hapësirë për rritje pagash e pensionesh”
Gerwin Bell, përfaqësues i FMN-së
“Pagat do t’i rrisim ashtu si e kemi premtuar”
Ridvan Bode, ministër i Financave
“Qeveria ka akorduar 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta, për bukën që ata blejnë më shtrenjtë”
Sali Berisha, kryeministër
"Qeveria do të ndihmojë shtresat në nevojë, familjet që trajtohen me asistencë sociale dhe punonjësit buxhetorë me paga të ulëta, ndërsa po zhvillon një mekanizëm për kompensimin e rritjes së çmimeve kryesore, si dridhi"
Sherefedin Shehu, zv/ministër i Financave
Kryeministri Sali Berisha dha dje shifrën e parë konkrete të kostos së rritjes së pagave dhe pensioneve duke filluar nga një korriku i këtij viti, si kompensim për rritjen e çmimeve. Sipas njoftimit zyrtar të Këshillit të Ministrave, “qeveria ka akorduar 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta, për bukën që ata blejnë më shtrenjtë”. Z. Berisha nuk sqaroi nëse ky është fondi total për rritjen e pagave dhe pensioneve më 1 korrik apo është fond shtesë për familjet në nevojë.
Gjatë ditëve të fundit, në Parlament u zhvillua një debat i ashpër mbi faktin nëse pagat dhe pensionet do të rriten apo jo këtë vit. Z.Berisha dhe ministri i Financave, Bode, përsëritën shumë herë se pagat do të rriten, por nuk dhanë shifra. Z.Bode deklaroi në Parlament, se “rritja do të jetë ashtu si është premtuar”. Vetë z. Berisha deklaroi se do t’i rrisë pagat dhe pensionet, por gjithashtu nuk sqaroi detaje.
Herët, në prill, Ministria e Financave deklaroi se “rritja e pagave me 10% dhe rritja e pensioneve me 5-10% do t’i kushtonte Buxhetit të Shtetit 6 miliardë lekë (rreth 50 milionë euro), për gjashtë muajt e dytë të këtij viti”. Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi të martën se buxheti aktual duhet të shkurtojë ndjeshëm shpenzimet dhe se “nuk ka vend për rritje të bollshme pagash”. Plani i FMN-së konsistonte në rritje të lehtë të ndihmës ekonomike, që e përfitojnë rreth 100 mijë familje në të gjithë vendin e që varion nga 1600 në 2300 lekë në muaj, si dhe për rritje të pagave të ulëta në sektorin buxhetor. Në Shqipëri ka rreth 6 mijë punonjës shteti që marrin pagën minimale ligjore.
Kryeministri Berisha deklaroi dje se, “qeveria ka përfituar 10-15 milionë euro më shumë nga taksat mbi grurin dhe miellin” dhe se, “do të shpenzojë 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta”. Nëse kjo është shifra përfundimtare e shtesës së pagave më 1 korrik, ky “kompensim për çdo qindarkë”, siç e deklaroi z.Berisha, nuk mbart në vetvete rritje parash dhe respekton këshillën e FMN-së për të ulur shpenzimet.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar një javë më parë mes qeverisë dhe FMN, Shqipëria u angazhua të ulë deficitin buxhetor të programuar këtë vit nga 7.9 në 5.2% të PBB-së. Kjo ulje nënkupton shkurtim shpenzimesh në masën 242 milionë euro.
Buxheti i shtetit ka planifikuar të shpenzojë 100 milionë euro për ndihmë ekonomike këtë vit, 570 milionë euro për paga dhe 200 milionë euro për të mbuluar deficitin e sigurimeve. Rritja e pagave dhe pensioneve me 10% në gjysmën e dytë të vitit kërkon shpenzime prej rreth 50 milionë eurosh. Kjo shifër konsiderohet si tepër e lartë në kushtet aktuale ku rritja e kostos së rrugës së Kukësit dhe humbjet e KESH kanë gllabëruar sakaq të gjithë fondin rezervë të buxhetit.