Berisha: Shqipëria do bëjë çdo përpjekje për shtimin e njohjeve të Kosovës

Tiranë, 17 shkurt, NOA U premtoj qytetarëve kosovarë se Shqipëria nga ana e saj do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar brenda mundësive që ajo ka mbi njohjen e merituar të shtetit të ri në arenën ndërkombëtare, pa të cilin paqja në Ballkan nuk do të mund të arrihej kurrë.
Me të tilla fjalë, kryeministri Berisha ka përshëndetur ceremoninë e pritjes së organizuar nga ambasadori i Kosovës në Tiranë për personalitete të jetës politike dhe shoqërore shqiptare në mjediset e Hotel Sheraton, me rastin e 2-vjetorit të pavarësisë së vendit të tij.
Më tej, Berisha tha se Shqipëria do të ndihmojë edhe për integrimin dhe të ardhmen e përbashkët evropiane të Kosovës drejt rrugës së anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Evropian.
Kosova është sot vendi i qytetarëve të lirë dhe ku banorët e etnive të ndryshme jetojnë më në harmoni se dekadat e fundit. Ky vend që po bën përpjekje të mëdha për një zhvillim pozitiv ekonomik dhe social, shtoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, kreu i qeverisë, Berisha.
Sipas tij, kosovarët me arritjen e pavarësisë së tyre, vërtetuan atë që tha senatori amerikan Xhon Kenedi, se ëndrra nuk vdes kurrë.
n.e/NOA