Berisha: Shqipëria nuk mban zgjedhje, por vetëm farsë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI-së, organizatës më të madhe politike të qendrës së djathtë në botë, ku ai mban detyrën e zëvendëspresidentit.
Gjatë fjalës së mbajtur, Berisha propozoi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për kartelet e drogës dhe krimit dhe lidhjet e tyre me pushtetin.
Berisha deklaroi se narkoshteti është kthyer në rrezik të madh për vendin dhe se Shqipëria nuk organizon më zgjedhje, por vetëm farsa elektorale.
“Shqipëria është një nga narkoshtetet më të fuqishme në botë. Ajo qeveriset nga organizata kriminale. Shqipëria është eksportuesja më e madhe e kanabisit në Europë, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt Europës, me siguri, dhe ndoshta edhe drejt destinacioneve të tjera. Portet tona janë tërësisht në duart e karteleve të drogës. Tërësisht. Prej pesë vitesh ose më shumë, në portet tona nuk është kapur asnjë kilogram drogë, sepse ato kontrollohen nga kartelet e drogës. Kartelet e drogës në vendin tim kanë në duart e tyre të gjitha lejet e ndërtimit dhe të gjithë kontrollin mbi zonat bregdetare. Besoj se organizatat tona duhet të krijojnë një grup të posaçëm pune për kartelet e drogës, narkoshtetet dhe trafikun. Kjo do të ishte një ndihmë shumë e madhe, sepse vende të tilla nuk janë të rrezikshme vetëm për veten e tyre, por janë të rrezikshme për rajonin dhe madje edhe përtej tij. Nuk do të zgjatem më tej, sepse koha është e kufizuar. Por unë e konsideroj se në vendin tim nuk ka zgjedhje; ka vetëm farsë. Ata vendosin për gjithçka”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për librin “The Albanian Files”, për të cilin tha se dokumenton 523 projekte të mëdha të planifikuara në disa prej zonave më të bukura të Shqipërisë, përfshirë bregdetin dhe zonat malore.
Sipas Berishës, projektet janë zhvilluar pa dijeninë e qytetarëve dhe një pjesë e madhe e tyre lidhen me territore që më parë kanë qenë pjesë e zonave të mbrojtura.
Ai tha se kryeministri Edi Rama po e trajton vendin si pronë personale dhe se merr vendime në mënyrë të njëanshme për shfrytëzimin e territorit.
/m.q/r.e/