E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta aktori i estradës së Fierit, Todi Llupi

TIRANË, 13 korrik/ATSH/ U nda sot nga jeta një nga ikonat e humorit fierak, Todi Llupi.

Për më shumë se pesë dekada, ai dhuroi buzëqeshje dhe emocione, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare me talentin, humorin e veçantë dhe interpretimin mjeshtëror të dialektit myzeqar.

Lindi në Fier, më 1 mars të vitit 1948. Që prej vitit 1971 ishte pjesë e Estradës së Fierit, ndërsa interpretoi me sukses edhe në filma artistikë, duke krijuar personazhe që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e publikut. Todi Llupi u bë i njohur për interpretimin e karaktereve dhe aftësitë vokale, duke shkëlqyer në parodinë “Po martojmë Malon”.

Në vitin 1989 u nderua me titullin “Artist i Merituar”, ndërsa më vonë edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi e cilësoi largimin e Todi Llupit si një humbje të madhe për Fierin dhe për mbarë skenën artistike shqiptare dhe theksoi se, vepra, humori dhe kujtimi i tij do të jetojnë përherë në zemrat e publikut.

1 nga 3

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›