E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shqiptarët të dënojnë me vote aktet primitive të Serbisë

TIRANE - Kryeministri Berisha reagoi sot ndaj arrestimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave theksohet se kryeministri Berisha dënon arrestimet, keqtrajtimet, bastisjet e shqiptarëve nga falangat serbe, në ditën e heshtjes elektorale.

“Qeveria Shqiptare u bën thirrje shqiptarëve në të tri komunat të marrin pjesë masive në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre legjitim dhe të dënojnë me votën e tyre aktet primitive të dhunës zyrtare të ushtruar nga autoritet e Beogradit.” -thuhet në deklaratë.

Kryeministri Berisha mbështet edhe deklaratën e krerëve të tre komunave të Luginës së Preshevës, teksa shton se aktet e shëmtuara të autoriteteve të Beogradit duan të pengojnë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

SERBIA: TE ARRESTUARIT DYSHOHEN PER KRIME LUFTE
Ministri serb i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, u ka thënë gazetarëve në Vranjë se “policia ka arrestuar në jug të Serbisë tetë persona, pesë nga të cilët nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve”. Sipas Daçiç, aksioni i xhandarmërisë serbe realizohet me urdhëresën e Prokurorisë për krime lufte.

Dy nga tetë personat janë arrestuar se kanë rezistuar gjatë bastisjeve, kurse i treti për posedim armësh, ka thënë ministri serb.

Sipas tij, nën dyshimet për krime lufte janë arrestuar Elhami Salihi, Mustafa limani, Sherif Abdiri, Nedir Sefedini dhe Sevdai Emurllahi. Të gjitha arrestimet janë kryer në komunën e Bujanocit.

Prokurori i Serbisë, për krime lufte, Vladimir Vukçeviç, ka thënë se shqiptarët e arrestuar, dyshohen për krime lufte, gjatë luftës së vitit 2001, në Luginën e Preshevës.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Arrestimet në Serbi e Maqedoni, DioGuardi: Shqiptarët nuk janë terroristë Arrestimet e shqiptarëve, protestë në Luginën e Preshevës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›