Berisha: Shtetësi, për çdo shqiptar kudo ndodhet
Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur në Vlorë platformën “bashkim i shqiptarëve me njëri-tjetrin, bashkim me Evropën” në mbledhjen solemne që Këshilli i Ministrave mbajti në sallën ku Ismail Qemali thirri për herë të parë ministrat e kabinetit të tij. Pas 100 vitesh, sot shqiptarë janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete, ndaj në vlerësimin e Kryeministrit, platforma “të bashkuar me njërit tjetrin në Europë” i jep përgjigjen në mënyrë përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan
“Mirënjohje Vlorës dhe Tiranës për kremtimet dinjitoze të 100 vjetorit”
Në një akt simbolik të nderimit në 100 vjetorin e pavarësisë, të krijimit të qeverisë së parë shqiptare në 4 dhjetor 1912, qeveria, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha e zhvilloi dje mbledhjen e saj të radhës, në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë.
Kryeministri Berisha, pas një vështrimi historik të krijimit të qeverisë së parë shqiptare nën kryesimin e Ismail Qemalit, rrethanave në të cilat u krijua dhe parimeve të saj, si dhe pasi shprehu mirënjohjen më të thellë për qytetarët e Vlorës, të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve për kremtimin me madhështi të 100 vjetorit të pavarësisë, shpalli nismën e qeverisë për dhënien e shtetësisë, çdo shqiptari që aplikon për të, pavarësisht se ku ndodhet. “Europa, platforma e bashkimit të shqiptarëve”, ishte nisma që sërish ripërsëriti dje kreu i qeverisë Sali Berisha.
Që në fillim të fjalës së tij, kreu i qeverisë, risolli në kujtesë momentet e krijimit të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Ismail Qemali, nga emërimi i tij nga Kuvendi, si Kryeministër, e në përzgjedhjen e ministrave të tij. Duke bërë një panoramë të historisë së mbledhjes së qeverisë së parë shqiptare, Kryeministri Berisha përmendi emrat e 8 ministrave dhe rolin e tyre në qeveri si dhe vlerësoi figurën e zëvendëskryeministrit Dom Nikoll Kaçorri dhe kreut të qeverisë së asaj kohe, Isamil Qemalit
“Këtu u mblodh ajo që do të quhej pleqësia e do ishte e barabartë me një këshill shteti apo senat, si do shpreheshin aty përfaqësues të kuvendit. Qeveria e parë në historinë e shqiptarëve, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës, me propozim të kryetarit të saj do zgjidhej nga Kuvendi, ndonëse në mbledhjen e parë Kuvendi kishte autorizuar kryeministrin Ismail Qemali të zgjidhte qeverinë, por më 4 dhjetor, në prani të 63 anëtarëve të kuvendit. Pas debatesh, procedohet duke ia lënë kuvendit”, tha Berisha, duke iu drejtuar ministrave.
Berisha tha se, “Qeveria e Ismail Qemalit kishte në përbërje të saj 8 ministra, politikanë, aktivistë, njerëz të shquar të lëvizjes politike e patriotike, publicistikës e jetës fetare në Shqipëri. Që nga zëvendëskryeministri Dom Nikoll Kacorri, ministri i Brendshëm, Myfit Libohova, ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, ministri i Drejtësisë, Petro Poga, ministri i Bujqësisë, Pandeli Cele; ministri i Financave, Abdi Toptani, ministri i Luftës, Mehmet Pashë Dëralla, ministri i Punëve Botore, Mit’hat Frashëri dhe ministri i Postëtelegrafit, Lef Nosi”.
Më pas kryeministri shprehu mirënjohje të thellë për qytetarët e Vlorës dhe të Tiranës, të cilët me atdhetarinë e tyre me mikpritjen e shndërruan 28 nëntorin e 100 vjetorit të Pavarësisë në ftesën më të bukur më të madhe.
“Para se të kalojmë në rendin e ditës, më lejoni të shpreh një mirënjohje shumë të thellë për qytetarët e Vlorës dhe qytetarët e Tiranës, të cilët me bujarinë, atdhetarinë dhe mikpritjen e tyre e shndërruan 28 nëntorin, 100 vjetorin e pavarësisë, në festën më të bukur e më të madhe. Kurrë ndonjëherë në histori, sa më datën 28 nëntor, Tirana e Vlora nuk kanë pasur prani kaq masive të qytetarëve, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare”, vijoi Kryeministri.
Po në këtë linjë, Kryeministri rikujtoi pjesëmarrjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtare në përvjetorët e kaluar.
“Natyrisht, mirënjohje e thellë dhe më e madhe u shkon të gjithë miqve nga mbarë bota që nderuan shqiptarët, Shqipërinë, në 100 vjetorin e pavarësisë. Do të jap një fakt të thjeshtë. Kur u festua 25 vjetori ka pasur vetëm një ministër të një vendi tjetër të pranishëm në festime; Kur u festua 50 vjetori, tribunën e festës në sheshin e Flamurit ishte i pranishëm vetëm një ambasador; Kur u festua 75 vjetori as edhe një i huaj i vetëm; Kur festuam 100 vjetorin ishin 57 delegacione të ardhura direkt nga vendet e tyre, ishin përfaqësues të rëndësishëm si Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe i 12 institucione të mëdha ndërkombëtare. Në paradën e ushtrisë morën pjesë 19 vende anëtare të NATO-s dhe vende mike partnere. Pra, miqtë e nderuan shumë Shqipërinë. Në kremtime morën pjesë Presidenti i Malit të Zi, Kryeministri i Hungarisë, Kryeministri i Sllovenisë, Kryeministri i Kroacisë, sekretarë shtetesh nga vende europiane, nga vendet e Gjirit, mori pjesë Kryetari Dhomës së Përfaqësuesve të Republikës Italiane, mik i madh e i shquar i kombit shqiptar, Nënkryetari i Parlamentit të Polonisë, të Bullgarisë, të Francës, miq nga mbarë bota. Edhe një herë nga kjo sallë e nga kjo karrige historike, dua t’u shpreh atyre mirënjohjen më të thellë. Një mirënjohje të madhe dua t’i shpreh të gjithë atyre, që me pjesëmarrjen në këtë festë, e bënë atë një ngjarje të paprecedentë, bizneset shqiptare që nuk kursyen asgjë për zbukurimin e saj, forcave të rendit që kanë qenë në krye të detyrës 24 orë në 24, artistëve shqiptarë, nga grupet e folklorit deri tek tenorët e sopranot e famshme dhe super ylli i hiteve të sotme Rita Ora. Një falënderim u shkon të gjithë mësuesve, të cilët nëpërmjet dhjetëra konkurseve që unë pata fatin e rastin t’i shoh në shkollat që kam vizituar, e shndërruan këtë vit, në një vit të 100 vjetorit. Kjo ishte një festë, në të cilën shqiptarët u dëshmuan në lartësinë e 100 vjetorit të pavarësisë së tyre”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha.
Sipas Kryeministrit Berisha, një shekull është një kohë jo e vogël, ndërsa nuk ka pasur lindje më të vështirë sesa lindja e Shqipërisë.
“Një shekull është një kohë jo e vogël. Po të vështrosh ritmet e vendit dhe kombit tonë me atë të kombeve të tjera, në mënyrë të padiskutueshme që shqiptarët nuk kanë arritur ato lartësi zhvillimi që ata meritojnë. Por e theksoj edhe një herë, nuk ka pasur lindje më të vështirë në Europë, sesa lindja e Shqipërisë. Të mos harrojmë se në datën 4 dhjetor, kur ky burrë vigan do të propozonte qeverinë e parë të Shqipërisë, në historinë 400 vjeçare të saj, forcat pushtuese të vendeve fqinjë ndodheshin në pjesën dërrmuese të territoreve shqiptare. E vërteta është se të lira në atë periudhë ishin vetëm Vlora, Fieri dhe Berati që luftonte. Ndërkohë që qytete të tjera të vendit ishin pushtuar nga serbët, jugu nga grekët e kështu me radhë. Mund të imagjinojmë se cilat ishin rrethanat dhe se me çfarë duhet të përballej qeveria e Ismail Qemalit, e cili ishte institucioni i parë që krijonin shqiptarët, nga vdekja e Skënderbeut. Ndaj edhe ajo qeveri, në aktin e saj të parë në 4 dhjetor, themeloi ushtrinë kombëtare dhe vendosi në krye të Ministrisë së Luftës, një nga gjeneralët më të sprovuar shqiptarë, me detyrë çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare. Kuvendi që zgjodhi qeverinë dhe senatin kishte përfaqësues të të gjitha trevave shqiptare. Dua të theksoj se vetëm nga Kosova ishin 18 përfaqësues, 4 ishin nga Çamëria, 3 ishin nga diaspora dhe nga të gjitha trevat shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, krahas çlirimit të trojeve të pushtuara, kishte një program ambicioz dhe atdhetar, vendosjes së institucioneve të vendit, gjuhës shqipe në të gjitha shkollat dhe konsolidimin e arsimit, ndaj në krye të këtij dikasteri do të vendosej një nga personalitetet më të shquara të kombit si Luigj Gurakuqi”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut të ekzekutivit, pas 100 vitesh, sot shqiptarë janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete. Ndaj në vlerësimin e Kryeministrit, platforma “të bashkuar me njërit tjetrin në Europë” i jep përgjigjen në mënyrë përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan.
“Pas 100 vitesh, çka mund të themi është se shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo, ata ndodhen në trojet e tyre dhe kudo, ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit europian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Projekt, i cili historikisht ka realizuar për Europën një mrekulli të vërtetë. Së pari, në rrafshin moral ka qenë e mbetet projekti më i shkëlqyer i pajtimit dhe bashkëpunimit midis kombeve të këtij kontinenti, midis kombeve që kishin luftuar njëri-tjetrin me egërsinë më të madhe. Por ky projekt është edhe projekti që bazohet në lirinë e të drejtat e qytetarëve, bazohet në rritjen progresive të prosperitetit. Ndaj ky komb mbështet këtë projekt, më shumë se çdo komb tjetër dhe kjo është në mençurinë e shqiptarëve. Duke thënë këtë, më lejoni të theksoj se, të ndarë në disa shtete, shqiptarët nuk mundet në asnjë rrethanë ta konsiderojnë ndryshe njëri-tjerrin përveçse vëllezër në gene, vëllezër në kulturë, vëllezër në identitet. Ky është realiteti më i padiskutueshëm. Ndaj dalin një seri detyrash, në mënyrë që të ecet me platformën: Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi me Europën. Unë jam i bindur se kjo platformë i jep përgjigjen më të shkëlqyer e përfundimtare, çështjes shqiptare në Ballkan, pasi askush nuk mund të mohojë se shqiptarët, në një nga padrejtësitë më të mëdha historike të kohës, u copëtuan në 5 shtete, u copëtuan në kundërshtimin më flagrant të parimeve që shpalli vetë Konferenca e Londrës, për caktimin e kufijve. Në kundërshtim me këto parime, trojet shqiptare u përdorën për të shpërblyer ata që kishin krijuar shtet, dekada para nesh dhe që u vërsulën mbi këtë vend e këtë komb, me projekte nga më ogurzezat. Mjafton të kujtoj se qeveria e Ismail Qemalit dhe vetë themeluesi, babai i pavarësisë u detyrua të largohej nga Shqipëria, në janar të vitit 1914, pikërisht se po punonte për të realizuar idealin kombëtar të shqiptarëve, bashkimin e trojeve shqiptare. Nga ai moment e deri në qeverinë e Sulejman Delvinës, në Kongresin e Lushnjës, kancelaritë e fuqive kolonialiste europiane të asaj kohe vendosën në mënyrë të përsëritur, copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare dhe asgjësimin e Shqipërisë. Nëse lexon dokumentet që lëshoheshin dhe qarkullonin, duke shfrytëzuar disa aventurierë shqiptarë dhe aktet e tyre kombëtare të papërgjegjshme, ata relatonin se shqiptarët nuk mund të krijonin shtet, se nuk kanë fuqi shtetformuese. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ata që kanë bërë këto relacione janë ndër miqtë më të mirë të saj. Kjo, se pas Luftës së Dytë Botërore, rendi i mëparshëm, në të cilin Fuqitë e Mëdha vendosnin në puthje me interesat e tyre, mori fund dhe një rend tjetër u vendos. Shqipërinë e shpëtoi nga copëtimi i mëtejshëm Presidenti Willson, i cili, në planin e tij të famshëm, të shpallur në vitin 1919, proklamoi të drejtën e kombeve të vogla për vetëvendosje dhe në rastin konkret të Shqipërisë, ai refuzoi Traktatin e Versajës, i cili e ndante në mënyrë përfundimtare Shqipërinë dhe e shuante nga harta e Europës si një entitet politik shtetëror”, vijoi më tej në fjalën e tij Kryeministri Sali Berisha.
Në këtë këndvështrim, kreu i mazhorancës qeverisëse anonçoi dhe nismën më të fundit të qeverisë së tij atë të hartimit të një ligji për të bërë të mundur marrjen e shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ata jetojnë.
“Kuvendi në Vlorë përfaqësonte shqiptarët e të gjitha trevave dhe zgjodhi një qeveri kombëtare për të gjithë shqiptarët. Tani, sërish, shqiptarët të ndarë, por me besim të madh në projektin europian. Nga ky vend, nga kjo mbledhje, në këtë datë, unë dua të informoj shqiptarët se kjo qeveri do të ndërmarrë ligjin e shtetësisë shqiptare për ta, kudo që jetojnë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm. Kjo nuk i pengon ata të mbajnë çfarëdo shtetësie që duan, por ai që dëshiron të marrë shtetësinë shqiptare, do ta marrë. Ky ligj do të jetë nisma e kësaj qeverie për 100 vjetorin. Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjitha masat, nëpërmjet konsullatave dhe zyrave, t’i krijoi atyre mundësinë e aplikimit”, u shpreh kryeministri.
Duke ftuar opozitën që të votojë tre ligjet që kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si vazhdim i këtij procesi dhe të mos bëhej pengesë, Kryeministri njoftoi se pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013 qeveria do të miratojë ligjin e marrjes së shtetësisë për shqiptarët kudo që ndodhen.
“Shqipëria është në një moment të veçantë dhe ky moment janë zgjedhjet. Këto zgjedhje, natyrisht, do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme. Por, për të mos e bërë çështje të këtyre zgjedhjeve, u them se ata që e marrin këtë qëndrim elektoral, gabojnë shumë rëndë. Ky është qëllimi i jetës sime dhe qëllimi i çdo shqiptari. Pas një shekulli të ndarë, shqiptarët e faktuan këtë, në vitin ’99. Le të shkojnë në Gjirokastër të regjistrojnë sa dyer u hapën për shqiptarët e Kosovës. Dhe nuk po them në Tropojë që është vazhdim i Kosovës, por në Gjirokastër, në Sarandë. Shqiptarët e faktuan se asnjë lloj faktori nuk mund t’i ndajë ata. Ndaj çdo shqiptar meriton shtetësinë shqiptare, natyrisht, ai që e do”, shtoi Berisha.
Në funksion të këtij procesi, pra të bashkimit të shqiptarëve në Europë, shefi i ekzekutivit ftoi opozitën të votojë 3 ligjet në Kuvend, me qëllim që të realizohet kjo reformë madhore për Shqipërinë. “Ndaj mendoj se vendimi më kryesor që merret është dorëzimi me përparësi në parlamentin shqiptar i ligjit, i cili përcakton njohjen pa kushte të shtetësisë shqiptare, çdo shqiptari që aplikon për të, kudo që ndodhet. Ky është mesazhi i 100 vjetorit. Ne nuk po bëjmë asgjë, por vetëm po u kthejmë atyre një të drejtë, për të cilën kanë luftuar 100 vjet dhe u është mohuar 100 vjet. Në kuadër të këtij procesi, të bashkimit njëri me tjetrin, të bashkimit me Europën, nuk mundet që midis shqiptarëve, në statusin aktual, të ekzistojnë standarde më të vjetra, se ato që ekzistojnë midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ndaj duhet të bëjmë gjithçka që të ulim këto mure. Gjatë vizitës në Izrael, grupi i gazetarëve që më shoqëronte udhëtoi për në Ramallah, pa asnjë kontroll e pengesë dhe kur u kthyen më thanë si kishte mundësi që në Morinë e jo vetëm, ka jo një, po dy. Ne jemi të detyruar të marrim të gjitha masat që shqiptarët të ndjehen një. Natyrisht, me dy administrate”, tha Berisha.
Duke përjashtuar çdo mundësi për njollosjen e procesit zgjedhor, Kryeministri Berisha bëri me dije se ky ligj do të hyjë në fuqi pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Gjithashtu, kreu i qeverisë kërkoi mirëkuptimin e fqinjëve dhe të faktorit ndërkombëtar për një nismë të tillë.“Çështja shqiptare është sërish një çështje, me gjithë ndryshimet thelbësore që ka, por ka një albanofobi ndaj shqiptarëve, e cila do të mund të zhduket vetëm përmes procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk mund të zhduket përmes “status quove”, por vetëm me bashkim”, deklaroi ai.