Poradecopartia
Kufijë e gjuhës (fjalës) janë kufijtë e ndjesive, botëkuptimit tonë. Vetëkënaqësia nga gjithë ç’sheh, ç’përjeton, ç’shkel, ngushton kufijtë e Fjalës, Dritës. Sot e gjithë ditën, në 100-vjetorin e mëvetësisë së shtetit shqiptar, ç’nuk shohim e dëgjojmë. Gjeste nga më të pakuptimtat, keqdashëset, nga ana e të zgjedhurve tanë vendorë. Gjeste pisërisht të ulta, ultësisht të pista, tek i vënë drynin institucioneve të pushtetit lokal, bashkive a komunave të majta. Vetëm e vetëm se lideri i tyre politik, paskësh cicëruar dikur se këtë 100-vjetor nuk do e festokëshim me këtë qeveri. Kryetari shoqatës së bashkive e komunave të majta është kryetar i Bashkisë Pogradec. Shkëlqesia e Tij, artikuloi në këto ditë festash kombëtare kërcënueshëm mbylljen e institucionit që feudalizon. Arsyeja; për mungesë fondesh nga ana e qeverisjes qendrore. Kulmi! Faktet kokëforta flasin se pas Bashkisë kryeqytetase, torta e pushtetit ndahet rëndësishëm për dy bashki, atë të Durrësit e Pogradecit. Pikërisht kur asfalti e plloçkat elektorale gërryejnë rrugicat e qytetit. Pikërisht kur kjo vjeshtë e gjen Xheladin beun në krye të një qyteti talebanisht të shkretë. Lagje të tëra të paasfaltuara, të baltosura, të pandriçuara. Kur ngrehinat e mizerabilitetit estetik të pallateve të pafundme janë në sulm të pandalshëm, të pashpirt ndaj peisazhit piktoresk. Të dëgjojnë veshët vetëshfajësime të keqadministrimit zuzarisht primitiv, të një mosqeverisjeje vendore të pashoq, veçanërisht të shkujdesur provincialisht, dashaligësisht, arbitrarisht, mbraptësisht. Tis i padijes, që urdhëron paralizimin e qeverisjeve lokale, njëlloj si ylli i tij polar tenton të bllokojë marrjen e Statusit për në BE, Vangjeli shiatiks të Qarkut të Fierit. Propagandë demoniake. Kaudijo është e quhet një zot apo kryezot, prijës apo shef i një rajoni të caktuar lokal. Kaudijo ynë këtu në Poradec është çuditërisht unik. Në mosnjohje të plotë me ligjin për pushtetin lokal i cili parashikon se për bashki me popullsi sa ajo e Pogradecit, 20 % e buxhetit kalon për rrogat e administratës, paga që në këtë Bashki mungojnë prej muajsh. Ku administrata e (stër)fryrë për qëllime elektorale paguhet vetëm në kohë fushate. Të deklarosh se do kyçësh institucionin që drejton se nuk di të menaxhosh është shpërdorim i hapur i detyrës, i detyrës që ke zgjedhur të bësh e të kanë votuar. Ai Zoti Zot, do i binte kokës me grushta kur sheh e dëgjon kësi punësh sëkëndjemi. Xheladin Beu i institucionit në fjalë, i monumenteve të bronxta lyer me varak, i provincializmave akulturale e primitive urbane, kërcënon me largim. Por ne (AY) mundemi sa dimë, andaj fundi i fundit, padrejtësia njerëzore është e lidhur ngushtë me moralin, kulturën, mendjehapësinë vetjake. Migjeni i madh do thoshte, ‘Ndodh, krijesat nuk mund ta njofin se asht derr dhe e nderojnë si një Sokrat.”Lind pyetja; nëse një kryebashkiak, në mandatin e tij të parë deklaron gjashtë mln euro pasuri, sa duhet të deklarojë në vitin e dytë të mandatit të tretë ? Por ky nuk është një problem matematikor, është një çështje që i takon prokurorisë e Kontrrolit të Lartë të Shtetit. Por Qyteti nuk është vetëm ajo gjëja që ndriçon natën, etja për qytete serioze me apo pa liqene parajsore, për qytete të së nesërmes, për brezat, nuk duhet të na gjejë të fjetur ...
...