Berisha: Skema e koncesioneve në shëndetësi solli shpërdorimin e qindra-milionë eurove

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se skemat korruptive që përfshijnë koncesionet në shëndetësi, kanë çuar në shpërdorim të qindra-milionë eurove dhe kanë shkaktuar dëme të rënda për qytetarët shqiptarë.
Gjatë komunikimit të përnatshëm, Berisha i përshkroi këto akte si “vjedhjen e dytë të shekullit”, që ka rezultuar në vdekje dhe invalidizime të shumta për shkak të mungesës së shërbimeve shëndetësore bazë, ilaçeve dhe mjeteve të nevojshme për trajtim.
Sipas Berishës, koncesionet për sterilizimin, check-up-in dhe analizat janë mbivlerësuar në mënyrë drastike, duke shtuar se kostoja e sterilizimeve është rritur deri në 83 herë më shumë krahasuar me çmimin e ofruar më parë nga spitalet publike.
Berisha tha se kostoja e koncesionit të shërbimeve të sterilizimit në shëndetësi u rrit me 83 herë, nga 1 milionë euro në 83 milionë euro në vit, duke e konsideruar këtë një akt të rëndë korrupsioni që ka dëmtuar rëndë shëndetin publik në Shqipëri.
Për shkak të kësaj situate, sipas tij, “mbi 1 mijë pacientë në vit mbeteshin pa operacione për shkak të mungesës së seteve kirurgjikale”.
Kreu i Partisë Demokratike shtoi se pajisjet e sterilizimit, të blera me taksat e shqiptarëve dhe që mund të mbulonin nevojat për sterilizim në vend, u përvetësuan pa pagesë nga kompania.
Ai e cilësoi këtë si një skandal të pashembullt që përfshin edhe përdorimin falas të lokaleve, ujit dhe energjisë elektrike nga kompania.
Berisha tha se kryeministri Rama dhe Vilma Nushi kanë shkelur Kushtetutën duke mos u paraqitur në një komision hetimor parlamentar që po hetonte koncesionet e shëndetësisë.
/m.m/j.p/