Berisha: Solidaritet me protestën rinore-qytetare, dënojmë dhunën ndaj protestuesve

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e sotme, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe Policinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Berisha shkruan se Rama ka provokuar rëndë protestuesit paqësorë dhe ka urdhëruar, narko-policinë t’i sulmojë ata.
Berisha thekson se disa protestues kanë mbetur të plagosur si pasojë e dhunës policore, ndërsa të tjerë janë shoqëruar në polici.
“Sonte Edi Rama provokoi rëndë protestuesit paqësor nga zyra e tij dhe urdhëroi narko-policinë t’i sulmonte ata pa asnjë motiv me shkopinj, shkelma, topa uji dhe mjete të tjera. Disa protestues u lënduan me plagë nga dhuna policore, të tjerë u morën forcërisht pa asnjë shkak në rajonin e policisë”, theksoi Berisha.
Berisha tha se “Partia Demokratike shpreh solidaritetin e saj me protestën rinore-qytetare, dënon me forcën më të madhe dhunën e egër të urdhëruar nga Padrino ndaj protestuesve dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar në polici”.
/k.s/r.e/