E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Steinberg, kërkohet hetim i plotë për 21 janarin

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim në selinë e Këshillit të Ministrave me Zëvendës/sekretarin amerikan të Shtetit, James B. Steinberg. Në takim

ishte i pranishëm edhe Zëvendës/ndihmës Sekretari për Europën dhe Azinë, Thomas Countryman dhe Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Sipas njoftimit për shtyp të Kryeministrisë, të dy bashkëbiseduesit ishin të të njëjtit mendim për rëndësinë themelore që ka hetimi dhe gjykimi i plotë, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës nga institucionet e vendit për 21 janarin. Kryeministri theksoi gjatë takimit se Shqipëria është një shtet demokratik, ku çdo problem mund të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Megjithatë njoftimi i djeshëm i Këshillit të Ministrave nuk sjell qartësisht qëndrimin e kreut të ekzekutivit ndaj dy kërkesave të SHBA-së për të respektuar Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi. “Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Steinberg për vizitën dhe i shprehu atij mirënjohjen më të thellë, për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë Shqipërisë dhe popullit shqiptar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe veçanërisht në këto çaste të vështira që po kalon vendi, pas sulmeve të dhunshme të opozitës ndaj institucioneve demokratike, nëpërmjet asistencës së çmuar profesionale në hetimin e 21 janarit. Kryeministri Berisha e njohu zotin Steinberg me zhvillimet e fundit në vend dhe ndau me të të njëjtin qëndrim se respektimi i Kushtetutës, institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës është dhe mbetet garanci themelore për mbarëvajtjen e demokracisë, në interesin më të mirë të vendit dhe kombit shqiptar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Sipas njoftimit për shtyp, Berisha risiguroi Steinberg se qeveria është dhe mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme për t’i ofruar vëzhguesve ndërkombëtarë çdo të drejtë dhe hapësirë ligjore për të garantuar një proces zgjedhor tërësisht transparent dhe që plotëson standardet me të larta ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Duke nënvizuar rëndësinë e vijimit me reformat në vend, në veçanti përgatitjen për zgjedhjet e 8 majit, zoti Steinberg vlerësoi ofertën e bërë nga Kryeministri për forcimin e rolit të vëzhguesve të huaj në procesin zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›