Rama i premton zëvendësit të Klintonit pjesëmarrjen në zgjedhje
Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet vendore që do të zhvillohen në datën e caktuar nga Presidenti i Republikës, më 8 Maj. Ky duket se ka qenë premtimi që kreu socialist Edi Rama i ka dhënë zv/sekretarit amerikan të Shtetit, James B. Steinberg, gjatë takimit që ata kanë zhvilluar dje të dy në rezidencën e ambasadorit amerikan në Tiranë, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë zhvillimet politike në vendin tonë. Megjithëse takimi ka qenë kokë më kokë, pa praninë e të tretëve, vetë selia rozë nëpërmjet një njoftimi për mediat dhe qëndrimet e pasme të mbajtura nga vetë kreu i saj Edi Rama gjatë turit në Elbasan, kanë lënë të kuptohet se rezultati i bisedës ka qenë pikërisht bindja e socialistëve për të hyrë në zgjedhje.
Takimi
Ndryshe nga drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit shqiptar, takimi i James B. Steinberg-ut me kreun e opozitës Edi Rama, nuk është zhvilluar në selinë e këtij të fundit, por në rezidencën e ambasadorit së SHBA-së në Tiranë. Kjo, sipas burimeve nga PS, ka patur si arsye një kërkesë të vetë Ramës, për të mos ballafaquar zyrtarin e lartë amerikan me rrëmujën që është krijuar nga punimet që po kryhen në sheshin “Skënderbej”. Pas takimit që ka zgjatur për më shumë se 1 orë, dy bashkëbiseduesit nuk janë ndalur për të dhënë një reagim të tyrin për bisedën e zhvilluar, ndërkohë që lajmi i parë për bisedën e konsumuar ka ardhur nga selia rozë, e cila ka shpërndarë një njoftim për mediat ku citonte deklarata të dy protagonistëve. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në vendin tonë, thuhet në këtë njoftim, Rama mësohet se ka theksuar në takim se kriza në Shqipëri i ka rrënjët te zgjedhjet dhe korrupsioni, ndaj dhe opozita do të vijojë të kërkojë zgjedhjet e reja si zgjidhje e vetme. “Bojkoti nuk ka qenë kurrë opsioni ynë. Opozita dhe votuesit duan garanci për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve vendore, ndërkohë që bindja jonë mbetet se zgjidhja e duhur e krizës fillon nga zgjedhje të reja”, - citohet të jetë shprehur Rama në këtë takim. Nga ana tjetër, duke iu përmbajtur këtij qëndrimi, Rama mësohet se ka theksuar se opozita do të vijojë të protestojë për largimin e qeverisë, ndërkohë që ka siguruar zëvendëssekretarin e Shtetit se do të hyjë në zgjedhjet vendore. “Opozita do të vazhdojë të kërkojë largimin e qeverisë dhe nuk do t’i ndalojë protestat, ndërkohë që do të japë çdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore”, - thuhet në këtë njoftim. Nga ana tjetër, në këtë njoftim thuhet se zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Steinberg, nënvizoi se transparenca është një kërkesë legjitime dhe domosdoshmëri për forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit. “Zoti Steinberg theksoi gjithashtu edhe rëndësinë për forcimin e institucioneve të pavarura në Shqipëri. Palët duhet të garantojnë ecurinë e procesit politik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë Shqipërisë për të vëzhguar nga afër këtë proces, u shpreh zoti Steinberg”. “Zv/sekretari amerikan i Shtetit, Steinberg, dhe kreu i PS-së shprehën domosdoshmërinë e hetimit të pavarur për zbardhjen e plotë të ngjarjes së 21 Janarit, ku u vranë 4 demonstrues”, - thekson PS-ja në njoftimin e vet. Elbasani
Pas takimit që zhvilloi me Steinberg-un, Rama i është drejtuar Elbasanit, nga ka nisur turin e tij në bazë me nën sloganin “Fajin e ka Saliu”, ku edhe një herë ka konfirmuar ndryshimin e qëndrimit përsa i përket zhvillimit të zgjedhjeve lokale në 8 Maji. Gjatë fjalës së tij Rama, ndërsa ka folur për betejën e opozitës kundër qeverisë, ka siguruar se opozita nuk do lejojë që votat e 8 Majit të vidhen, duke pranuar në mënyrë indirekte se zgjedhjet vendore do të zhvillohen pikërisht në datën e dekretuar nga kreu i shtetit. “Beteja e opozitës vazhdon për një Shqipëri të lirë e demokratike, për të bërë realitet ëndrrat e shqiptarëve dhe jo ato të Saliut, i cili sheh në ëndërr bojkotin e zgjedhjeve, për t'i grabitur përsëri ato. Ne nuk do të lejojmë që Saliu dhe Iliri të vjedhin sërish votat më 8 Maj”, - u shpreh Rama gjatë këtij takimi, duke mohuar çdo zë për bojkotin e këtyre zgjedhjeve. Ai ka siguruar qytetarët e Elbasanit se opozita do të vijojë betejën e vet për largimin e qeverisë dhe rikthimin e normalitetit në vend. “Ne nuk kërkojmë pushtetin, por largimin e pushtetit, ne nuk duam pushtet përmes demonstratave, por do të vazhdojmë demonstratat për ta larguar këtë pushtet. Do vazhdojmë vendosmërisht, në Parlament, në bulevard në zgjedhje, për Shqipërinë europiane për Shqipërinë demokratike”, - tha Rama.