Berisha: Taksat ndaj biznesit nga 1 janari janë elektorale, nuk do të njihen

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga takimi përmbyllës i fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Fushë-Krujë përcolli pikat e programit të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore”.
Berisha u ndal tek pensionistët duke u shprehur se në buxhetin prej 8 miliardë euro, u ndanë vetëm 16 milionë euro për ta.
“Fjala ime është 100 ditët e para në Shqipëri nuk do të ketë pension ndën 200 euro. Dhe pensionet tjera do rriten me 20%”, premtoi Berisha.
Sipas tij, nuk do të ketë rroga të ulta nën 500 euro.
“Çdo rrogë e ulët do të ketë kartën e konsumatorit, me të cilën bukën, gjërat bazë ushqimore do t’i blejë 20% më lirë se të tjerët. Do merrni pra 450 euro kthim të TVSH-së që keni shpenzuar”, tha Berisha.
Ai theksoi se qeveria e tij në 100 ditët e para do të firmosë listën e rimbursimit të barnave që rimburson qeveria italiane.
“Nuk do të ketë më nevojë të kërkoni ilaçe tek njerëzit tuaj. Ilaçet do t’i merrni falas me listë, sipas listës që i marrin italianët sot”, tha ai.
Berisha premtoi se çmimi i energjisë do të zbresë në 7 lekë ndërsa tarifat e ujit do të përgjysmohen.
“Falen 100%, gjoba dhe kamat vonesat e IKMT-së për familjet.
Falen dhe kthehen mbrapsht të gjitha detyrimet dhe taksat e profesioneve të lira. Falen taksat dhe tarifat vendore për bizneset e vogla dhe për individët, që në një verifikim të thjeshtë nuk kanë mundësi pagese, ose që kanë të ardhura sa minimumi jetik, apo llogari të bllokuara për shkak të taksave dhe tatimeve”, vijoi Berisha.
“Falen kamatëvonesat dhe detyrimet tek të gjithë debitorët që janë nga tatimi mbi të ardhurat, në Shqipëri. Falet taksa e pronës për familjarët që nuk kanë pasur mundësi ta paguajnë. Falet taksa e pronës për bizneset pronën e tyre dhe jo me qira. Falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat e KESH-it dhe ujit. Falen të gjitha gjobat e policëve bashkiakë rryshfetxhinj dhe gjobëvënës mbi ju, asnjë mos paguani. Pjesëtohet me 3, taksa e pastrimit për qytetarët dhe bizneset”, u shpreh ai.
“Hiqet taksa e reklamës për bizneset e vogla, hiqet tarifa e tabelës për këto biznese dhe të mëdhatë nga zero gjer në 4 metër”, vijoi Berisha.
Ai theksoi se do të thjeshtohen në maksimum lejet e ndërtimit për banesat individuale në zonat urbane dhe rurale.
“Hiqet taksa e ndikimit në infrastrukturë për banesat individuale, familjare, banesë e parë. Rishikim i taksës së pronës familjare në apartamentet. Hiqet taksa mbi pronën e emigrantëve shqiptarë, në mënyrë që t’i ftojmë të vijnë, ta dinë që ne i presim ata dhe nuk i gjobisim”, tha Berisha.
“Iu bëj thirrje biznesit të vogël, të mesëm, të madh, asnjë taksë të vendosur nga 1 janari gjer sot, nga agjentët e tatimeve etj., mos paguani sepse ka qenë vetëm taksë elektorale. Nuk do njihet asnjëherë”, përfundoi Berisha.