Shehaj në Fier: Kandidatët e partisë “Mundësia” nuk kanë pasur poste e privilegje

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Fieri akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor zgjedhjet si mjet për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për korrupsion.
Ai theksoi se, ndryshe nga kjo praktikë e “listave të korruptuara”, kandidatët e Partisë Mundësia nuk kanë pasur poste e privilegje dhe vijnë nga puna e ndershme.
Shehaj i cilësoi deklaratat e Ramës për partitë e reja si përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi sistemin politik. “Edi Rama thotë s’na duhen parti të treta, sepse i trembet ndryshimit. Ai kërkon të mbajë të vjetrit në lojë, me rotacion të korrupsionit”, u shpreh Shehaj.
Sipas tij, Partia Mundësia është sot e treta në rang kombëtar, por nuk synon të jetë as kingmaker dhe as aleate e sistemit të vjetër. “Ky është vetëm fillimi. Ne do të jemi partia e parë. Dhe kur të vijë ajo ditë, Edi Rama nuk do ketë më vend në politikë,” përfundoi Shehaj.
Partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit.