E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të bashkohemi më 8 maj në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bëri sot thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 8 majit në Tiranë.

“Të bashkohemi në datën 8 maj në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, në kryengritjen më të fuqishme paqësore kundër këtij regjimi”, tha Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.

Berisha deklaroi se vendi po përballet me një situatë të rëndë ekonomike dhe institucionale, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë reagimi ndaj krizave.

Berisha akuzoi qeverinë për mungesë masash mbështetëse ndaj qytetarëve përballë rritjes së çmimeve, duke theksuar se Shqipëria, sipas tij, është ndër të vetmet vende në Evropë që nuk ka ndërmarrë politika lehtësuese.

“Çmimet po rriten për shkak të krizave ndërkombëtare, por në Shqipëri nuk ka asnjë masë mbështetëse. Ndërkohë, të ardhurat nga TVSH-ja po rriten në kurriz të qytetarëve”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së theksoi gjithashtu se fermerët, pensionistët dhe shtresat në nevojë përballen me vështirësi të shtuara ekonomike, duke përmendur uljen e mbështetjes dhe mungesën e subvencioneve.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›