Rama: Dibra rritet e zhvillohet si asnjëherë më parë

TIRANË, 25 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Dibër, ku u takua edhe me fermerët e kësaj zone në kuadër të turit Punët e Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale Rama ndau një fotografi nga takimi, gjatë të cilit bisedoi me fermerët
“Dibra rritet e zhvillohet si asnjëherë më parë dhe mexhelisi i Dibrës është kënaqësi më vete”, shkruan Rama.
Gjatë takimit Rama iu kërkoi fermerëve që të bashkohen në Shoqëritë e Bashkuara Bujqësore, të cilat i cilësoi si një version i kooperativave, por në versionin e Bashkimit Europian.
“Këtu duhet bashkim dhe për këtë arsye ne kemi vendosur edhe mbështetje për bashkimin, mbështetje financiare, institucionale dhe aleancë me shtetin”, theksoi Rama.
Gjithashtu kryeministri u ndal tek potenciali i madh të Dibrës në bujqësi dhe turizëm, duke nënvizuar ndikimin pozitiv të Rrugës së Arbrit në rritjen e aksesit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.
“Pasuria e Dibrës është tek toka, tek bujqësia dhe tek turizmi. Me Rrugën e Arbrit, kjo zonë bëhet më e aksesueshme si për vizitorët nga Tirana, ashtu edhe për ata që vijnë nga jashtë vendit”, tha Rama.
/k.s/a.f/