E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Të gjejmë mirëkuptim për një rezolutë të përbashkët për Kosovën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur pas mbledhjes së deputetëve të Partisë Demokratike.  Fillimisht Berisha tha se grupi i PD dënon me forcën më të madhe vendimin absurd, të pabazuar të përjashtimit të disa deputetëve.

“Absurde, e pabazuar, tërësisht në shkelje flagrante të rregullores, përjashtimi i disa deputetëve. Përjashtimi tregon edhe njëherë qëndrimin armiqësor ndaj opozitës. U diskutua gjerësisht kjo situatë, në të cilën opozita konstaton se qeveria bën gjithçka për të shtypur çdo të drejtë të opozitës,” u shpreh Berisha.

Duke folur për situatën më të fundit në Kosovë, Berisha nënvizoi se “grupi i PD kërkon të votohet rezoluta e tyre për Kosovën dhe se nëse maxhoranca nuk pajtohet me dënimin e Serbisë për atë që ndodhi, ky parlament mund të quhet parlament i Bjellorusisë.

“Ne kemi rezolutën tonë, kërkojmë të votohet rezoluta jonë. Rezoluta që paraqet grupi parlamentar i PD-së është në përputhje të plotë me qëndrimet e parlamentit të Kosovës, me qëndrimet e miqve të Kosovës. Është një rezolutë shumë mirë e studiuar. Urojmë dhe shpresojmë që të mos mbeten skllevër të Vuçiçit. Urojmë të votohet rezoluta jonë, ose të gjejmë një mirëkuptim për rezolutë të përbashkët,” përfundoi deklaratën Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›