Meta: Çmimi i ujit të pijshëm është rritur mbi 40%, bashkia të bëjë transparencë

Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë së Lirisë kanë depozituar në Bashkinë e Tiranës disa kërkesa dhe procedura në lidhje me transparencën për ujin e pijshëm.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se çmimi i ujit të pijshëm është rritur mbi 40%, ndërkohë që siç thotë ai, zona të tëra në kryeqytet janë pa ujë.
Po ashtu inceneratori i Elbasanit ka qenë një tjetër çështje për të cilën Partia e Lirisë ka kërkuar transparencë. Meta shprehet se e vetmja gjë që nuk ndalet në Shqipëri janë pagesat e inceneratorëve.
“Vetëm në Bashkinë e Tiranës, në këto ditë kemi nisur disa kërkesa dhe disa procedura shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me transparencën përsa i takon ujit të pijshëm, ku është rritur çmimi mbi 40%, ndërkohë që zona të tëra të Tiranës janë pa ujë;
me pamundësinë e shumë familjeve për t’i çuar fëmijët për t’i regjistruar në kopshtet dhe çerdhet publike, sepse nuk ka kopshte dhe çerdhe, sepse lekët e tyre, pra lekët për arsimin shkojnë tek inceneratorët, siç vazhdojnë dhe këtu në Elbasan pagesat për inceneratorët.
E vetmja gjë që nuk ndalet në Shqipëri janë pagesat e inceneratorëve”, tha Meta.
/rtsh.al/