Berisha: Të merret në konsideratë çdo kontestim për votat
Rezultati përfundimtar për bashkinë e kryeqytetit do të zyrtarizohet nga Komisioni Qëndor i Zgjedhjeve kur të dalin të dhënat përfundimtare të çdo vote të hedhur në kutinë e votimit nga qytetarët e Tiranës.
Në këtë mënyrë kryeministri Sali Berisha nga selia e Partisë Demokratike tha se çdo kontestim i votës duhet të merret në klonsideratë për të shpallur më tej fituesin e garës për Tiranën. Në këtë linjë shefi imazhorancës tha se do të ndiqet çdo hap ligjor që çon në shpalljen e këtij rezultati. Duke deklaruar se kryeqyteti u gdhi blu, kryeministri tha se e bazon këtë fakt në fitoren e 7 minibashkive nga koalicioni i “aleancës për qytetarin”.
Gjatë një konference për mediat kryetari Partisë Demokratike tha se koalicioni i “aleancës për qytetarin” ka siguruar një fitore plebishitare në këto zgjedhje. Pavarësisht se Partia Demokratike ishte e dyta sa i përket votave në nivel partish , Berisha tha se në garat elektorale ndjek parimin e koalicionit më të gjerë dhe ndershëm për të siguruar fitoret.
Sa i përket bashkive që ka marrë koalicioni i “aleancës për qytetarin”, kryeministri tha se do të ketë një analizë të thellë në mënyrë që në zgjedhjet e 2013-ës të përmirësohet kjo performancë. Megjithatë tha Berisha qytetarët shqiptarë në këto zgjedhje votëbesuan koalicionin qeveritar, si koalicionin e reformave të mëdha.