Rama: Jo përmbysjes së rezultatit në tavolinë
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka deklaruar se zvarritja e rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën nuk do ta ndryshojë atë por vetëm do të dëmtojë procesin zgjedhor.
Në një konferencë për shtyp së bashku me kryebashkiakët socialistë, Rama duke i cilësuar zgjedhjet e 8 majit si një fitore historike theksoi se vlerësimi i qytetarëve do të përdoret në përmirësim të jetës së tyre.
“Qytetarët e thanë fjalën e tyre. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Zvarritja e rezultatit për Tiranën nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë por vetëm do e fusë vendin në një qorrsokak” theksoi Rama.
Më tej Rama theksoi se pakti për qytetarin është një detyrë shtëpie për të gjithë kryebashkiakët socialistë për t`i ofruar një mirëqënie qytetarëve.
Ndërkohë duke iu referuar zgjedhjeve në tërësi, Rama theksoi se Partia Socialiste do të kontribuojë janë të gatshëm t`i ofrojnë një faqe të re shqiptarëve duke i garantuar zgjedhje të ndershme në të ardhmen.