Berisha: Të ngrihet Komision Hetimor për projektin e portit të Durrësit

Kreu i PD i zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për projektin e Portit të Durrësit, të cilën e quan si aferën më të madhe korruptive që po u bëhet pasurisë së shqiptarëve.
Berisha gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për të kundërshtuar këtë projekt, ndërsa thotë se do e çojë deri në Gjykatën Kushtetuese.
“Edi Rama po vepron në mënyrë të rrufeshme për kalimin e ligjit për këtë marrëveshje, dhe ne në mënyrë të rrufeshme duhet të krijojmë komision hetimor parlamentar dhe duhet ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese. Tjetër instrument që kemi në dorë, protesta e fuqishme kundër kësaj grabitje të fuqishme. Është shumë e rëndësishme qytetarëve tu shpjegojmë çfarë po ndodh në kurriz të tyre, nuk kanë vlerë, por porti është pasuria më e vlefshme e vendit. Ndaj dhe ne duhet ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet”, tha Berisha
Teksa Rama e cilësoi si një nga investimet më të mëdha që do e kthejë Durrësin në një pikë kryesore të turizmit në Mesdhe, Berisha tha se shteti shqiptar do të fitojë vetëm 200 euro në vit nga ky projekt.
“Shteti shqiptar nga marrëveshja e Edi Ramës fiton 200 euro në vit sipas ekspertëve. Kjo vjen në një kohë kur ai port shpërndan 4 milion ton mallra dhe tani do bëhet porti i jahteve të Ramës”, tha Berisha.
Berisha foli edhe për arrestimet e SPAK për inceneratorin e Fierit, ku tha se Rama kërkon të mbyll këtë aferë duke vënë në pranga cironkat.
“Nga një anë mbyll me shpejtësinë historinë e djegësve duke arrestuar cironkat, punonjësit e ndërmarrjes së tij. Ndërmarrja dihet që është e qeveritarëve. Nga ana tjetër vrapon rrufeshëm për të plaçkitur”, tha Berisha.
/rtsh.al/