Gjiknuri konfirmon kandidatin e PS për Elbasanin: Luçiano Boçi, zgjatim i Berishës

Në intervistën për emisionin “pa Censurë”, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri tha se kryetari aktual i Bashkisë së Elbasanit, Gledion Llatja, e ka merituar kandidimin. “Akoma nuk është marrë miratimi përfundimtar, por ai gjatë këtyre viteve ka punuar shumë mirë. Qeveria e ka mbështetur Bashkinë e Elbasanit. Ai është një djalë qytetar, përfaqëson një familje të vjetër të Elbasanit dhe ka një komunikim jashtëzakonisht të mirë me elektoratin, si dhe me punën që ka bërë në institucionin që drejton. “- u shpreh zoti Gjiknuri, i cili bëri një koment dhe për kandidaturën e shpallur nga Luçiano Boçi, si përfaqësues i opozitës.
“Ka kandiduar për PD dhe i ka humbur zgjedhjet në atë kohë, por dua të shikoj zotin Boçi jo të shkëputur nga qëllimet që përfaqëson forca që do ta kandidojë atë. Në këtë rast është zgjatim i Sali Berishës në Elbasan. Nuk do të doja që Elbasani të përdorej si një bunker politik i Sali Berishës me të tijët për të përgatitur revanshin e tyre politik në të ardhmen.”- tha Damian Gjiknuri për emisionin “Pa Censurë”.
Ai foli edhe për çështjen e ndikimit të krimit të organizuar në Elbasan dhe situatën për mosfunksionimin e incineratorëve.
PJESË NGA INTËRVISTA
Elona Meço: Kam ndjekur vizitën e kryeministrit Rama në Elbasan. Ai duket pozitiv për kryebashkiakun e Elbasanit. Besoni se do të rikandidojë Gledion Llatja?
Damian Gjiknuri: Zoti Llatja e ka merituar rikandidimin, por akoma nuk është marrë miratimi përfundimtar, por ai gjatë këtyre viteve ka punuar shumë mirë. Qeveria e ka mbështetur Bashkinë e Elbasanit. Ai është një djalë qytetar, përfaqëson një familje të vjetër të Elbasanit dhe ka një komunikim jashtëzakonisht të mirë me elektoratin, si dhe me punën që ka bërë në institucionin që drejton.
Elona Meço: Duke qenë se e dimë edhe kandidatin e palës tjetër, mund të më jepni një koment për zoti Boçi? Edhe ai gjatë zgjedhjeve 2021 mori shumë vota dhe theu edhe pragun e 10 mijë votave.
Damian Gjiknuri: E njoh zotin Boçi ndër vite. Nuk dua ta ndaj zotin Boçi nga çfarë përfaqëson. Ai ka qenë edhe kryetar i PD në Elbasan. Ka qenë edhe në kohën kur PD ishte në pushtet. Ka kandiduar për PD dhe i ka humbur zgjedhjet në atë kohë, por dua të shikoj zotin Boçi jo të shkëputur nga forca që përfaqëson, nga qëllimet që përfaqëson forca që do ta kandidojë atë. Në këtë rast është zgjatim i Sali Berishës në Elbasan. Nuk do të doja që Elbasani të përdorej si një bunker politik i Sali Berishës me të tijët për të përgatitur revanshin e tyre politik në të ardhmen. Pra, qytetarët duhet të ndajnë shumë mirë çfarë është në tavën politike të vendimarrjes së tyre. Është e ardhmja e Elbasanit. PS ka projekte shumë të rëndësishme për Elbasanin dhe këto do të bëhen të mundur me përfaqësimin e një bashkiaku socialist që ka mbështetjen e qeverisë. Ndryshe, Elbasanin ata duan ta kthejnë në bunker, por elbasanllinjtë, nga natyra, janë njerëz të mençur, shkojnë drejt zhvillimit dhe arrijnë t’i kuptojnë shumë mirë ata që duan t’i përdorin si barut politik dhe nuk besoj se ata do të pranojnë të bëhen të tillë.
Elona Meço: Prej gati një viti, ju jeni drejtues politik i qarkut Elbasan, i cili njihet si zona më problematike për influencën e krimit të organizuar, përfshirë dhe politikën. Cila është eksperienca juaj me këtë qark në lidhje me këtë problematikë?
Damian Gjiknuri: Nuk e njoh këtë problematikë, sepse unë nuk kam ndonjë marrëdhënie të tillë dhe as nuk di të ketë një shkrirje të tillë të politikës me krimin përtej atyre që deklarohen politikisht.
Elona Meço: Pra po thoni që krimi i organizuar nuk ka asnjë ndikim në Elbasan, megjithëse flitet kaq shumë për të?
Damian Gjiknuri: Mund të flitte shumë, sepse në Elbasan pati tensione politike nga të dyja krahët, por mbi të gjitha nga ato grupime paramilitare që krijoi PD në Elbasan gjoja për të monitoruar procesin e votimit, që përbënë edhe shkakun kryesor të tensionimit të situatës në Elbasan.
Elona Meço: Ne pamë që policia qendroi indiferente, megjithëse pa shumë parregullsi ligjore atje.
Damian Gjiknuri: Që ka patur probleme, patjetër, por meqë çështja është në hetim… Shteti ka vepruar dhe po të ishte i njëanshëm nuk do të merrte masa edhe ndaj atyre policëve që nuk kanë zbatuar ligjin. Por dua të them që nuk duhet që për shkak të një incidenti, ta veshim gjithë jetën politike të Elbasanit të lidhur me strukturat kriminale.
Elona Meço: Ben Blushi ka bërë edhe një libër, “Kandidati”, për këtë çështje, duke u frymëzuar nga krimi i organizuar në Elbasan.
Damian Gjiknuri: Njerëzit marrin impulse çdo ditë nga jeta dhe letërsia këtë ka të bukur, e çon në një shkallë tjetër që ta tërheqë lexuesin.
Elona Meço: Pra, tregu i Elbasanit nuk kontrollohet nga një grup i organizuar kriminal.
Damian Gjiknuri: Tregu? Nuk e di të ketë treg. Nuk e di çfarë do të thotë tregu i madh i Elbasanit.
Elona Meço: Në vendin ku ndodhi një përplasje me policinë para pak vitesh.
Damian Gjiknuri: Nuk e di se kush zotëron tregje apo objekte industriale. A ka njerëz që mund të kenë të kaluar të errët dhe që janë bërë pasunarë, siç thotë populli. Kjo është një çështje që organet ligjzbatuese përditë e më shumë duhet ta bëjnë dhe po e bëjnë këtë punë. Nuk më takon mua si politikan që është ky apo ai, sepse nuk e di. Mbase nuk e kam atë njohuri aq të thellë saç keni ju.
Elona Meço: Zoti Gjiknuri, përfitoj nga rasti t’ju pyes për incineratorët, impiantet e trajtimit të mbetjeve, jeni në dijeni se edhe pas përfundimit të kontratave koncesioinare ata nuk janë në gjendje pune, Elbasani p.sh?
Damian Gjiknuri: Impianti ishte në punë, por i erdhi afati për të bërë një remont. Siç është një automjet që i vjen momenti për të ndërruar filtrat e vajit dhe filtrat e ajrit etj. Impianti po i nënshtrohet këtij remonti, këtij servisi që është periodik. Impianti ka funksionuar deri para pak muajsh. Tani po kryhet procesi i remontit dhe besoj se shumë shpejt do të nisë nga puna.
Elona Meço: Adminisratori i aseteve të sekuestruara nga gjykata ka dhënë një deklaratë tjetër, sipas të cilës e fikën sepse nuk kishin mundësi financiare ta mbanin. Bëhet fjalë për dhejtorin 2021.
Damian Gjiknuri: E vërteta është që bashkitë e qarkut të Elbasanit kanë krijuar shoqërinë e tyre, kanë miratuar një tarifë që shërben për depozitimin dhe përpunimin e mbetjeve. Impianti një pjesë të energjisë do të sigurojë të ardhura me shitjen. Nga pikëpamja e skemës ekonomike është një skemë e qendrueshme. Nuk besoj se ka ngelur nga ana financiare. Jam informuar për këtë. Është çështje e shërbimit teknik, që i ka ardhur afati dhe si çdo pajisje teknologjike ka nevojë për fazën e saj të remontit.
/rtsh.al