E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Të reagojmë për çmimin e naftës, të gjithë të ftuar në protestën e ardhshme

TIRANË, 11 prill /ATSH/Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se mazhoranca ka rrëzuar propozimin për përgjysmimin e taksave për naftën, çka sipas tij është një ndëshkim për shqiptarët.

Berisha tha se “qeveria e Edi Ramës, në dallim nga çdo qeveri tjetër në Europë dhe në botë, ka mbajtur një qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit të naftës.

Nafta me 224 lekë për litër shënoi një çmim rekord dhe kjo jo për shkak të rritjes së çmimit si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës së lartë fiskale që Edi Rama ka vendosur për çdo litër naftë, me një taksë prej 1.1 euro për litër”.

Sipas Berishës, “qeveria jo vetëm që refuzon të përgjysmojë barrën fiskale apo ta ulë atë në nivelet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që çmimi i naftës të afrohet me këto vende, por njofton se do të heqë edhe subvencionet për naftën e fermerëve”, u shpreh Berisha.

Sipas kreut të PD-së, “miliarderët që furnizohen me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit e marrin naftën me 60 lekë për litër, ndërsa fermeri detyrohet ta paguajë atë me 220 lekë për litër. Kjo do të thotë se qindra mijëra hektarë tokë do të mbeten djerrë dhe shumë fermerë do të falimentojnë”.

Berisha duke folur për pensionistët u shpreh se, “qeveria atyre nuk iu dha bonusi në kohë dhe tani u ofrohet një shtesë minimale, deri në 8 euro për shumicën dhe deri në 18 euro për një pjesë të vogël.

Pra, shumica e pensionistëve marrin një shtesë simbolike mujore. Kjo është një tallje që bëhet nga njerëz që shohin vetëm pasurimin e tyre”, vijoi Berisha.

Sipas tij, duhet reagim qytetar dhe për këtë u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e 17 prillit të njoftuar nga PD.

“Dje pashë një raportim të një televizioni të huaj që paraqiste çmimet më të larta të naftës në botë, ku Shqipëria renditej e para me 2.24 euro për litër. Ky çmim vjen kryesisht për shkak të nivelit më të lartë të taksimit. Ju bëj thirrje shqiptarëve të verifikojnë: nuk do të gjeni një vend tjetër ku taksa mbi naftën arrin në 61% të çmimit të saj”, tha Berisha.

Berisha premtoi gjithashtu uljen e ngarkesës fiskale për naftën.

“Për çmimin e naftës, akti i parë do të jetë ulja e ngarkesës fiskale në nivele të barabarta me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Shqipëria prodhon ende naftë, dhjetëra mijëra fuçi në ditë, por rafineria e Ballshit është lënë në gjendje të rëndë.

Gjatë kohës që ne ishim në pushtet, kishte më pak automjete se sot, por zhdoganimi ishte më i lartë dhe një pjesë e konsiderueshme e naftës prodhohej në vend. Ndërsa sot, sipas tij, importet janë më të ulëta edhe krahasuar me Kosovën”, u shpreh Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›