Berisha: Të rinjtë, gratë dhe diaspora trajtim të veçantë dhe lehtësira fiskale

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë për mediet që zhvilloi ditën e sotme me gazetarët foli për programin ekonomik të PD-së.
Berisha tha se “do të reduktohet 4 herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese, 4 herë”.
“Do të bëhet gjithçka për dixhitalizimin më të plotë të veprimtarisë së bizneseve. Do të thjeshtohet në maksimum legjislacioni fiskal, për të siguruar qëndrueshmëri të kodit dhe ligjeve fiskale”, tha Berisha.
Berisha tha se “ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë”.
“Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve”, tha Berisha.
“Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit. TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror”, tha Berisha.
“Ekonomia informale do të përgjysmohet. Objektivi afat mesëm për të ardhurat buxhetore do të jetë 30%”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se “në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë. Këta janë të rinjtë, gratë dhe diaspora”.
“Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për punësimin e parë të të rinjve nga sipërmarrësi gjer në moshën 25-vjeçare”, u shpreh Berisha.
Berisha tha se do të krijohen “4 zona të lira ekonomike”.
“Do të krijohen 4 zona të lira ekonomike në 4 qarqe kryesore të vendit në të cilat do të ofrohen të gjitha lehtësirat, me kushtin e vetëm që investitori të ketë një biografi investimesh disavjeçare në vendin e tij dhe nuk do të pranohet asnjë qindarkë nga kontot ofshore”, tha Berisha.
“Do të u ofrohet defiskalizimi i të gjitha kompanive të huaja që hapin të paktën 20 vende pune në sektorin e IT dhe do merren me inteligjencën artificiale për 3 vitet e para. ID do të jetë nipti i fermerit, ID, letërnjoftimi. Mbështetje direkte për sipërmarrjen bujqësore shumë të ndjeshme”, tha Berisha.
Berisha shtoi se “japim garanci të plotë se programi ekonomik i PD por do të forcojë stabilitetin ekonomik dhe do të hapë masivish vende pune”.
Ndër të tjera Berisha u shpreh se “çdo kandidat, çdo aktivist i PD të merret me shpjegimin e programit ekonomik tonin”.
“Çdo kandidat, çdo aktivist i PD duhet nga mëngjesi gjer në darkë, të merret me programin e PD, të merret me shpjegimin e këtij programi, me ofertën e tij, dhe në një përqindje minimale të merret me kundërshtarin”, tha Berisha.
“Ne shkojmë me program te çdo qytetar, në derë, rrugë, kafe, kudo që ta takojmë ne do të flasim programin tonë ekonomik, do të flasim paketën tonë të dhembshurisë, do të marrim mendime për pastrimin e shtëpisë dhe për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të ’hightec’ në rajon dhe superfuqi energjetike”, tha Berisha.
/a.f/